Sali Berisha do të tërhiqet në shtator? Analisti i njohur tregon çfarë mund të ndodhë: Sjellja e tij egoiste do të ketë pasoja!

194

Analisti Adri Nurellari u ndal te zhvillimet në vend, kryesisht te deklaratat e forta të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe vendimin e tij për të mos u tërhequr nga Parlamenti dhe politika, pas shpalljes “non grata” nga SHBA.

Për analistin, ky është një veprim i gabuar dhe egoist nga ana e Berishës, që dëmton opozitën dhe forcon më tej qeverinë.

Pjesë nga intervista:

Deklaratat e forta të ish-kryeministri Sali Berisha, si i keni përcjellë?

Unë e kam shprehur që për të mirë të opozitës, këtë betejë duhet ta bënte i vetëm, jashtë Parlamentit. Në këto kushte, ai është një barrë për opozitën. Së pari, ne e dimë si votohen, se janë në listë fituese. Së dyti, opozita ka kërkuar të njëjtën gjë edhe për Tom Doshin apo raste të tjera. Opozita do të dobësohet dhe kreut të opozitës do t’i lidhen duart për të ngritur e mbajtur qëndrime të forta ndaj qeverisë, pikërisht se do të ketë aty ish-kryeministrin e shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

Veprimi i Berishës për të mos u tërhequr nga Parlamenti është i papërgjegjshëm. Në politikë kur të jepet shansi të jesh kryeministër, duhet të jesh përherë mirënjohës. Berisha është më i privilegjuari në tranzicionin e Evropës, pasi iu dha shansi dy herë të ishte kryeministër. Më e pakta që duhet të bënte për votuesit dhe partinë, është që të mos e pengonte. Po tregohet super-egoist dhe aspak mirënjohës, sepse duke insistuar për të qëndruar aty, po dëmton opozitën.

Sa janë shanset që deri më 9 shtator të ketë një skenar të tërheqjes së z.Berisha?

Mesa duket jo. Shihet që ka një sjellje qëndrestare, kokëforte, të z. Berisha, e cila ka pasoja. Kjo tregon se ai nuk ka respekt, mirënjohje, përderisa është i gatshëm të dëmtojë aksionin opozitar. Kur them të tërhiqet, e kam fjalën për tërheqje nga politika, siç bëri Fatos Nano. T’iu jepet shansi të rinjve për të ardhur aty. Z. Berisha duhet të hapë rrugën, që të tjerë liderë të tregojnë veten. Nuk ka kuptim që ai të rri në Parlament. Z. Berisha kanë për ta sulmuar, nëpërkëmbur. Në sulmin e parë që t’i bëhet qeverisë, ata do ta kthejnë, duke u kapur me të. Kështu, ne do të kemi një qeveri edhe më të fortë.

A është e justifikuar heshtja e z. Basha?

Herët a vonë do duhet që ai të deklarohet. Më mirë është herët. Nuk e di çfarë po pret. Besoj se kur të vijë shtatori, do ta marrim vesh. Kam përshtypjen se po pret shtatorin, që të mbajë një qëndrim. Ai është në kushte shumë të vështira, mes disa zjarreve, por do duhet ta marrë këtë vendim, herët a vonë.