Udhëzimi i ri! Mësuesit, çdo katër vjet në provim për vendin e punës (Detaje)

185

Një tjetër provim i shtohet listës së filtrave që i duhet një mësuesi, si për t’u punësuar, ashtu edhe për të ruajtur vendin që ka.

Në një udhëzim të ri për mënyrën se si do të bëhet zhvillimi i vazhdueshëm profesional i mësuesit, Ministria e Arsimit ka futur edhe testimin, përmes të cilit kërkon të zbulojë se sa i azhurnuar me dijet e reja është arsimtari.

Ai që MAS-i nuk preferon ta quajë testim, por “identifikim të nevojave të mësuesit për zhvillim profesional” në udhëzim presupozohet të zhvillohet çdo katër vjet. Në fund të tij, ekspertët e arsimit hartojnë një raport që identifikon fushat ku ka mangësi mësuesi. Në dokument nuk thuhet se çfarë do të ndodhë me mësuesit e papërgatitur, por thjesht i bëjnë “ftesë” të trajnohen kundrejt programeve me pagesë.

“Në zbatim të politikave arsimore të përcaktuara nga Ministria e Arsimit, sportit dhe rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar organizon çdo katër vjet identifikimin e nevojave për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë dhe harton raportin kombëtar.

ASCAP-i përgatit dokumentin ‘Shpallja e interesit për trajnimin e punonjësve arsimorë’ bazuar në standardet profesionale të mësuesit, nevojat për zhvillim profesional të identifikuara në raportin kombëtar të identifikimit të nevojave për trajnim të punonjësve arsimore dhe rekomandime”, citohet në udhëzimin nr.16 të firmosur në fund të muajit korrik dhe që është gati për t’u implementuar për vitin e ri shkollor.

Mësuesit i duhen së paku tri ditë trajnimi në vit, të barasvlershme me 18 orë trajnimi online ose të drejtpërdrejtë, por në raportin 50:50. Me këto 18 orë, mësuesi fiton një kredit, për koston e të cilit Ministria ka vendosur një tavan.

“Tarifa për një kredit nuk duhet të jetë më shumë se tarifa minimale e kreditit për ciklin e dytë të studimeve në fushën e edukimit në institucionet publike të arsimit të lartë. Pagesa dokumentohet me faturat përkatëse”, thuhet në nenin 6 të udhëzimit për zhvillimin profesional të mësuesve.

TESTIMI

Mësuesit nuk ia hedhin vetëm me kryerjen e trajnimit në agjencitë e certifikuara për këtë punë. Ata duhet të vërtetojnë se njohuritë janë përvetësuar përmes një testimi. Edhe në këtë pikë ka filtra.

“Për të fituar kreditet e një moduli, punonjësi arsimor i nënshtrohet testimit. Punonjësi arsimor dorëzon në agjencinë trajnuese portofolin e tij, i cili përmban detyrat që ka kryer gjatë trajnimit. Agjencia vendos nëse do t’i nënshtrohet ose jo testimit një punonjës bazuar në përmbajtjen e portofolit dhe ndjekjen e orëve trajnuese (jo më pak se 90% e orëve për një modul)”.

Testimi mund të zhvillohet në fund të orëve ose në një datë të lajmëruar, online ose me shkrim në mjedise të përcaktuara. Për të marrë certifikatën e trajnimit, ose për t’u konsideruar kalues, mësuesit nuk i duhen gjysma e pikëve por 75% e totalit.

Me pak fjalë, udhëzimi i ri është një përpjekje për të shmangur abuzimet me blerjen e krediteve, siç ndodh rëndom prej vitesh ku mësuesit marrin bonuse të pamerituara vetëm për të mbajtur vendin e punës. ose më rëndë akoma. Fitojnë vendin e lirë me ato kredite boshe.