Imami i xhamisë që nuk njihet nga KMSH denoncon: Dy policë ndihmuan në Rinas kalimin e Shkëlzen Dumanit drejt Sirisë

239

Armand Ali, Imami i xhamisë te Unaza e re, që akoma nuk njihet nga Komuniteti Mysliman, 

ka denoncuar me emër dy policë që, sipas tij, ndihmuan xhihadistin Shkëlzen Dumani që të kalonte në aeroportin e Rinasit, së bashku me dy fëmijët e tij, Endri dhe Eva Dumani, kjo e fundit është akoma në kampin Al-Hol.

Me një postim në Facebook, ai publikon një pjesë të dosjes së SPAK të hetimeve në lidhje me këtë çështje, ku nga përgjimet dalin emrat e Blendi Kodrës dhe Skënder Sallakut, që sipas Ali, ndihmuan Dumanin në vitin 2014, duke i bërë thirrje SPAK që të nisë hetimet ndaj këtyre dy personave.

“Meqenëse SPAK që heton antikorrupsionin do fillojë urgjentisht hetimin ndaj 5 grave të sapo kthyera nga Siria, në këto hetime duhet të përfshinë patjetër edhe dy policët e aeroportit të Rinasit në vitin 2014 të cilët mundësuan kalimin pa probleme të Shkëlzen Dumanit (Allahu e mëshiroftë) dhe dy fëmijëve të tij.

Emrat e tyre i kanë në dosjen e famshme të “xhihadistëve” por as prokurorja “e hekurt” Imeraj dhe as turpi (trupi) gjykues nuk i thirren e as nuk i përmendën gjatë gjithë seancave gjyqësore.

Madje SPAK duhet të hetojë edhe se kush ishte ai noter i cili përgatiti dokumentin e nevojshëm me firmën e bashkëshortes së Shkëlzenit sipas së cilës jepej leja që ata dy fëmijë të udhëtonin jashtë Shqipërisë vetëm me babain e tyre.

SPAK duhet të hetojë faktin se përse u dënua Orion Reçi vetëm pse Shkëlzeni fjeti një nate ne shtëpinë e tij bashkë me dy fëmijët, por nuk u dënua as ai noteri i famshëm dhe as dy policet e Saimir Tahirit qe ndihmuan në këtë histori”, shkruan imami.

Shkëlzen Dumani, me origjinë nga Peshkopia, u vra gjatë luftimeve në Siri, ndërsa djali i tij, Endri u thye në tetor të vitit të kaluar nga Siria, por motra e tij, Eva vijon të jetë në kampin Al-Hol.

Ndërkohë, më 1 gusht u riatdhesuan nga kampi Al-Hol në Siri 14 të miturit dhe 3 gra, të cilët do të merren në pyetje ne lidhje me qëndrimin e tyre ne kampin në Siri./shqiptarja