Berisha “mesazh të koduar” Bashës: Unë po mbroj të drejtat e liritë e njeriut, një parti që nuk mbron këto parime meriton të mos ekzistojë

171

“Pozita më e vështirë për Bashën dhe PD do të ishte nëse unë s’do të bëja këtë që po bëj, nëse s’do qëndroja për liritë dhe të drejtat e njeriut. Një parti që nuk qëndron mbi këto parime, meriton të mos ekzistojë”.

 

Kjo ka qenë deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha kur është pyetur nëse “lufta” e tij me SHBA e ka vendosur kryedemokratin Lulzim Basha dhe PD-në në pozitë të vështirë. Një deklaratë që duket si një mesazh i koduar për Bashën, si për t’i thënë që ai dhe PD duhet të qëndrojnë në krah të Berishës deri në fund.

 

“Po të shohim pak vazhdimësinë, kjo është vetëm një etapë, sepse në këto vite PD nga paraardhësi i zonjës Kim, është akuzuar për financime nga rusët, në një kohë që s’kishte marrë asnjë qindakë prej tyre. Më vonë u akuzua se ka ndërhyrë për anullimin e vendimit të zonjës Kavalec. Është një varg kjo, erdhi te unë, por kemi të bëjmë me një varg. PD u lavdërua me telefonata direkte nga kancelarja Merkel, nga zyrtarë të lartë të KE, Parlamentit Europian, për kontributet në Reformën në Drejtësi.

 

Unë nuk kam polemizuar me zonjën Kim, por nuk pranoj kurrë sjelljen prej guvernatori të cilitdo, dhe atyre që sillen si të tillë në një vend sovran. Është keqpërdorur nga qeveria kundër opozitës për të lartësuar murin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët shqiptarë. Pozita më e vështirë për Bashën dhe PD do të ishte nëse unë s’do të bëja këtë që po bëj, nëse s’do qëndroja për liritë dhe të drejtat e njeriut. Një parti që nuk qëndron mbi këto parime, meriton të mos ekzistojë, kjo është e qartë për çdo demokrat”, tha Berisha.