Parlamenti i ri, LSI përjashtohet nga të gjitha reformat, Kryemadhi sytë nga Basha për të krijuar grupin parlamentar

229

LSI pritet të mbetet jashtë të gjitha reformave që do të ndërmarrë Kuvendi i ri. Më 9 shtator deputetët do betohen dhe do fillojë shqyrtimi i një sërë çështjesh të rëndësishme. Do nisë reforma zgjedhore dhe do të zgjidhen anëtarët e rinj të KLGJ dhe KLP.

 

Por faktet deri tani tregojnë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk merr dot pjesë në shqyrtimin e tyre. Aktualisht kjo parti ka dalë nga zgjedhjet e 25 prillit me vetëm 4 deputetë, të cilët janë të pamjaftueshëm për të formuar një grup parlamentar. Pra kjo lë të kuptohet që LSI nuk do të përfshihet në asnjë nga nismat apo reformat që do të ndërmarrë Parlamenti i ri.

 

Tani shpresat e LSI mbeten vetëm tek Partia Demokratike. Sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë që një parti të krijojë grup parlamentar, duhet të ketë minimalisht 7 deputetë. Por ka pasur dhe më parë raste kur partitë nuk e arrinin numrin e deputetëve për grup parlamentar. Prandaj, Historia e Kuvendit ka treguar se shpesh herë partitë që nuk formonin dot grupin parlamentar kanë marrë hua deputetë nga partitë e tjera mike.

 

Ndërsa këtë vit, pas humbjes së madhe që pësoi në prill, është LSI-ja ajo parti që nuk e ka këtë numër dhe sipas informacioneve nga selia blu, ajo i kërkuar kreut të PD, Lulzim Basha që t’i marrë tre deputetë hua, në mënyrë që në shtator të këtë grupin e saj parlamentar. Por, nuk dihet sa do të ndodhë kjo sepse pas 25 prillit marrëdhëniet mes dy partive nuk janë fort të mira.

 

PD skeptike për të ndihmuar LSI

Sikur e përmendëm më lart, akoma mbetet pikëpyetje fakti nëse PD do ta ndihmojë LSI të formojë grupin parlamentar, sepse pas zgjedhjeve ishte vetë Kryemadhi dhe mbështetësit e saj që kritikuan Bashën për humbjen e garës. Në një deklaratë për shtyp Kryemadhi deklaroi se bëri gabimin më të madh që dëgjoi Bashën dhe dogji mandatet. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as kritikat e PD ndaj LSI.

 

Sipas informacioneve, demokratët kanë bërë fajtore LSI-në e drejtuar nga Monika Kryemadhi, e cila sipas tyre, punoi për interes të saj dhe kundër koalicionit opozitar para, gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore sa u takon zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Në këtë kontekst, mësohet se për demokratët Lëvizja Socialiste për Integrim me vetëdije kërkonte e madje bënte propagandë kundër PD-së, strategji kjo që ndikoi negativisht tek elektorati i Partisë Demokratike. Që nga ajo kohë marrëdhëniet mes dy partive janë të krisura dhe nuk dihet nëse do të ketë bashkëpunim.

 

Aleatët kërkojnë grup më vete

Nga ana tjetër aleatët e PD në zgjedhje kërkojnë të formojnë grup parlamentar më vete dhe kjo i pakëson mundësitë e LSI për të formuar grupin e saj. Sipas informacioneve krerët e partive aleate, të cilët Basha i futi në listat fituese të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, si Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule kanë nisur tentativat për t’i kërkuar PD deputetë hua, për të krijuar grupin e tyre parlamentar. Ata kanë vendosur të bashkohen për të formuar grup parlamentar, por në total janë vetëm 5 dhe kjo nuk mjafton, prandaj do iu nevojitet ndihma e Bashës. Tashmë mbetet për t’u parë se kë do të ndihmojë PD për të qenë pjesë e reformave të Parlamentit të ri.