Efekti Delta, 30 raste të reja në 24 orët e fundit, pas disa javësh shënohet një humbje jete

194

Pas disa javësh në vendin tonë është shënuar një viktimë nga COVID. Është fjala për një 74-vjeçar nga Kurbini i cili sipas MSH, ka qenë i pavaksinuar.

Ndërkohë që prej konfirmimit të variantit Delta në Shqipëri, numri i rasteve të reja ditore vijon të jetë i lartë. Në 24 orët e fundit janë shënuar 30 raste, nga 3316 testime të kryera në total.

Rastet pozitive janë identifikuar në këto bashki: 14 raste në Tiranë, 4 në Elbasan, 3 në Lezhë, 2 në Shkodër, nga 1 rast në Durrës, Kurbin, Korçë, Librazhd, Sarandë, Delvinë, Kuçovë.

Aktualisht janë 321 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. MSH raporton se vihet re një rritje e rasteve të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim të specializuar 17 pacientë. Janë shëruar 8 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,174 që nga fillimi i epidemisë.

“Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen ndaj Covid19, për të mbrojtur veten dhe njerëzit e afërt dhe për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat anticovid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Nëse dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127”, apelon MSH.

Lexo edhe:   A duhet të friksohemi.../ Flutura kineze “pushton” qytetin e Shqipërisë, banorët: Nuk dalim dot nga shtëpia