Ende nuk ka konfirmim zyrtar, flet zv.ministrja Rakacolli: Sinjale shumë të forta, varianti Delta në Shqipëri

152

Ndonëse nuk ka ende një konfirmim zyrtar për praninë e variantit Delta të koronavirusit në vendin tonë, për zv.ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacollin, sinjalet për praninë e tij janë të forta. E ftuar në “Report Tv”, Rakacolli, ndërsa komentoi rritjen e rasteve të reja të infeksionit ditët e fundit në vend, Rakacolli u shpreh se shkaqet janë dy: prania e variantit Delta dhe grumbullimet gjatë Kampionatit Europian.

 

“Rritja e rasteve nuk jen nga lirimi i masave, por mund ketë dy arsye, një mund të jetë fakti i pranisë së mutacionit Delta që ka infektueshmëri më të lartë dhe grumbullimet që ndodhën gjatë Kampionatit Europian. Këto janë shkaqet, jo lirimi i masave sepse masat nuk janë liruar në atë masë që të sjellin rritje të infektimeve. Megjithatë, situata është tërësisht e kontrolluar. Zyrtarisht nuk e kemi konfirmuar ende praninë e variantit Delta, por sinjalet janë të forta për praninë e këtij virusi”, tha Rakacolli.

 

Sipas zv.ministres, e vetmja armë që kemi kundër këtij varianti të COVID është vaksinimi, duke i bërë apel qytetarëve që të përfitojnë nga ditët e hapura të vaksinimit.

 

“Ka rënë mosha e personave të infektuar, nëse më parë predominonte te moshat mbi 40-vjeç e sipër, tani grupmosha më e prekur është 15-45 vjeç, fasha e pavaksinuar. Kush është mbi 18-vjeç, duhet të drejtohet te qendra e vaksinimit, është e vetmja mënyrë për të shmangur infektimin”, u shpreh ajo.

 

E pyetur se si do të jetë vjeshta që vjen, Rakacolli tha ‘sfiduese’, duke arsyetuar se nuk dihet ende se sa zgjat imunizimi, qoftë ai natyral, qoftë nga vaksina. Po ashtu, Rakacolli theksoi se ekziston edhe frika e daljes së mutacioneve të tjera të COVID.

Lexo edhe:   “Zoti gjyqtar jeni çmendur apo çfarë?!”… Braçe hedh akuza të rënda për gjyqtarin që zhbllokoi produktet ushqimore të skaduara

 

“Vjeshta është sfidë edhe këtë vit sepse do të shohim se sa zgjat imunizimi, qoftë ai natyral qoftë vaksina, nëse mund të dalin variante të tjera që nuk i përgjigjen këtij vaksinimi, gjë që nuk e besoj, por nuk dihet se çfarë ndodh, po ashtu edhe rritja e infeksioneve. Në vjeshtë mund të kemi rigjallërim edhe të viruseve të tjera, si psh gripi dhe ne po marrim masa”, theksoi ajo.

 

Një përgjigje Rakacolli e pati edhe për një lajm që qarkulloi ditën e sotme në disa media, në lidhje me një mesazh dërguar mësuesve, i interpretuar si një ‘urdhër’ për vaksinimin e tyre me detyrim. Rakacolli tha se nuk ka vaksinim të detyruar, ndërsa theksoi se ishte vetëm një mesazh sensibilizimi.

 

“Vaksinimi te mësuesit nuk po bëhet i detyruar, por vazhdon ndërgjegjësimi i fortë i popullatës për t’u vaksinuar. Mësuesit janë më të rriskuarit dhe një arsimtar, përveç shëndetit të vet ka edh enjë përgjegjshmëri publike. Nuk besoj që ndonjëri nga ne do të donte ta çonte fëmijën e tij në një klasë me mësues të painfektuar. Kjo është një thirrje për ndërgjegjësim që të rishikojnë vendimin e tyre për mos t’u vaksinuar. Nuk është një mesazh i ministrisë, por gjithsesi është një mesazh ndërgjegjësimi. Vaksina nuk është e detyruar, jemi në moment ndërgjegjësimi”, u shpreh Rakacolli.