Vetëm 21-vjeçe. Kjo është shqiptarja e parë që garon për deputete në Bundestagun gjerman

168

Dafina Berisha, 21 vjeçarja me origjinë nga Kosova, synon të bëhet e para deputete shqiptare në Bundestagun gjerman. Ajo është kandidate e Partisë Social Demokrate (SPD) në zgjedhjet parlamentare në Gjermani.

Dafina, prindërit e së cilës kanë shkuar në Gjermani nga Deçani, ka lindur dhe jeton në Hamburg. Ajo ka thënë se, krahas objektivave të partisë së saj, në parlamentin gjerman do të jetë edhe zëri i shqiptarëve.

“Kemi 9 mijë shqiptarë që kanë të drejtë vote në Hamburg dhe prapë se prapë asnjë shqiptar nuk është pjesë e parlamentit gjerman. Unë dua të jem shqiptarja e parë në Bundestag për të promovuar edhe të drejtat e shqiptarëve në Bundestag, por edhe të të rinjve”, ka thënë ajo.

Berisha është shprehur në mënyrë kritike për mosorganizimin e shqiptarëve në Gjermani, ndonëse janë rreth 400 mijë që jetojnë në gjithë Gjermaninë.

Dafina Berisha, studente e drejtesisë, ka thënë se ajo ka qenë gjithmonë ambicioze dhe ka dëshiruar të arrijë sukses në politikë. Ajo ka treguar se në PSD është angazhuar si aktiviste qysh në moshën 17 vjeçare.

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të mbahen më 26 shtator 2021.