Skandali/ Mashtrohen të paktën 800 persona, u injektohet ujë në vend të vaksinës kundër COVID-19

344

Të paktën 800 njerëz në Ugandë janë vaksinuar me vaksina false kundër koronavirusit të ri (COVID-19), njoftuan autoritetet e vendit.

Shefja e Njësisë së Monitorimit të Shëndetit, Dr. Wallen Naamara, tha në një deklaratë se rastet në rritje me COVID-19 në vend janë shqetësuese.

“Disa njerëz të paskrupullt mashtruan popullatën me vaksina false për COVID-19 me synimin për të bërë para”, tha Naamara.

Ajo theksoi se të paktën 800 njerëz u vaksinuan midis majit dhe qershorit, duke shtuar se disa njerëzve u është dhënë ujë në vend të vaksinës.

Naamara deklaroi se dy infermiere janë arrestuar në hetimin e nisur për këtë rast dhe se një mjek është në arrati.

Duke nënvizuar se vaksinat kundër COVID-19 janë falas në vend, Naamara i bëri thirrje publikut të qëndrojë larg vaksinave të tilla të paguara.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të vendit të Afrikës Lindore, 91.355 raste me COVID-19 janë regjistruar deri më tani, prej të cilëve 2.483 persona kanë humbur jeten.