Rama si asnjëherë më parë për BE-në: Ka ardhur koha t’u themi të shkojnë në…

299

Kryeministrit Edi Rama duket se nuk i del inati me Brukselin.

 

Nga edicionin e 23-të i “Symi Symposium” në Athinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka hedhur dje një sërë akuzash të forta ndaj Bashkimit Europian. Mes ironisë, zoti Rama tha se është e qartë që përpjekjet e Shqipërisë për negociatat në dy herët e fundit nuk dështuan se nuk kemi përmbushur kriteret, por sepse u “tradhtua” nga BE.

 

Sipas tij, vendi ynë është gati për të nisur negociatat, por BE nuk po bën pjesën e saj. Gjithsesi, shefi i qeverisë theksoi se kjo nuk duhet ta nënshtrojë Shqipërinë, përkundrazi siç shtoi ai, duhet t’i dimë më shumë vlerat tona pa iu lutur Brukselit, pse jo të jemi ne që i themi “vafsh në djall”.

 

“Dy përpjekjet e para për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dështuan jo për faj të Shqipërisë. Nuk duhet që të biem pre e dështimit dhe zhgënjimit. Ne në Shqipëri e kemi parë veten të përgatitur për dasmën e madhe kemi marrë orkestrën më të mirë sepse Komisioni Europian tha se jemi gati për të nisur bisedimet.

 

Dasma e parë nusja nuk erdhi, dasma e dytë nuk erdhi sërish nusja, nuk ka më përgatitje për një dasmë të tretë, vafsh në djall, ne nuk mund të vazhdojmë me pritshmëri sepse është një vit i tërë me pritshmëri. I tërë vendi mbetet sikur është tradhtuar”, deklaroi Rama.

 

Sipas kryeministrit vetë BE do të “bëhet pishman” sepse edhe ajo ka shumë nevojë për vendet e Ballkanit, pasi këto vende japin kontribut të madh në ekonomi dhe drejtime të tjera. “BE ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për BE. Nuk është se ne kemi nevojë për ta dhe ata jo për ne. Shembulli ishte i refugjatëve që duhet të vinin te ju pastaj te Maqedonia e Veriut, pastaj në Serbi. Sepse Ballkani Perëndimor rrethohet nga kufijtë e BE. Çështja është se është një gropë në mes të BE.

 

Brukseli po luan me negociatat

Rama ka ashpëruar dhe më shumë tonet teksa ka folur për arsyet që pengojnë integrimin e Shqipërisë. Sipas tij, ngërçi i vërtetë nuk është Bullgaria, sepse kjo e fundit është pjesë e lojës që është krijuar nga më të mëdhenjtë e BE. Rama tha se çështja politike e hapur nga Bullgaria sot është stisur nga vetë Brukseli, i cili po mban peng integrimin e Ballkanit për çështje nacinonalizmash, që nuk ekzistojnë.

 

“Qëndrimi bullgar është rezultat i asaj çka Bullgaria mësoi brenda BE nga të mëdhenjtë. Bullgaria mësoi se mund të përdorësh politikën për të bllokuar të tjerët. Nuk doja ta përmendja, në Ballkan kur kopjojmë shkojmë më tutje se origjinali. Jemi më shumë dhe shkojmë përtej. Kur hymë në këtë proces na u tha se ky ishte ilaçi magjik kundër nacionalizmit për të na bërë më të hapur dhe më demokratikë, me këtë që ndodh tani jemi më tepër pengje të nacionalizmave të BE”, u shpreh ai. Rama u shpreh i bindur se, në të vërtetë udhëheqësit nuk janë vetë nacionalistë dhe çështjet e nacionalizmit po i përdorin për të mbajtur peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Pra, sipas kryeministrit, e gjitha kjo është një lojë që vjen vërdallë mes vendeve që janë tashmë në BE. “Rrugëtimi i integrimit të Ballkanit perëndimor varet nga nacionalizmat e BE, e kam fjalën për nacionalizmat e vendeve të rëndësishme, të cilat mbajnë peng udhëheqësit që ende nuk janë nacionalistë. Për të shtrydhur popujt e Ballkanit dhe për t’u treguar muskujt vendeve të tyre”, deklaroi ai.