“Shqipëria nuk i ka shpëtuar variantit Delta”/ Manastirliu: Ka shenja për praninë e mutacionit

107

Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar variantit më të ri të koronavirusit. Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu lë të kuptohet se në vend ka disa raste të variantit Delta në qarkullim. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Manastirliu tha se ISHP ka patur një sinjalizim të pazakontë në disa mostra laboratorike.

 

” Edhe Shqipëria është alertuar tashmë prej disa javësh për variantin e ri Delta. Në laboratorin e ISHP që është një laborator reference në ditët e fundit ka patur një sinjalizim po themi në mostrat laboratorike të vlerësuara nëpërmjet metodës PCR të një sinjali të pazakontë. Pra në disa mostra të vlerësuara, të cilat çojnë në një dyshim për qarkullimin e variantit Delta edhe në vendin tonë.

 

Por për të patur 100% siguri për qarkullimin e këtij varianti duhet sekuencimi genomik i cili realizohet në një lavorator reference në Gjermani. Dhe mostrat janë duke u përgatitur për tu çuar në këtë laborator. Por e vërteta është që ka një sinjal të pazakontë.” – tha Manastirliu.

 

Varianti Delta në vend do të rris numrin e infektimeve ndaj Manastirliu thotë se mund të shtohen kufizimet për hyrjen në Shqipëri.

 

“Nëse do të kemi një alert të shtuar në raport me impaktin që ka ky variant edhe në shëndetin e popullatës në raport me hospitalizimet apo fatalitetet, padyshim që do të jetë komiteti i ekspertëve i cili do të marrë edhe masat në vijim.” – tha Manastirliu në Përballë.