Leku letër…/ 10 më “të pasurit” e Shqipërisë që kanë rreth 540 milionë euro në banka

594

Viti i pandemisë e ka ulur disi peshën e depozituesve më të mëdhenj në strukturën totale të depozitave bankare.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar dhjetë depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit zotëronin 5.2% të totalit të depozitave të sistemit bankar, kundrejt 5.51% që zinin në dhjetor 2019.

 

E njëjta ecuri tkurrëse e përafërt vërehet edhe për grupet e tjera të depozituesve të mëdhenj. 20 depozituesit më të mëdhenj në fund të vitit të kaluar zotëronin 7.19% të depozitave, kundrejt 7.39% në vitin 2019. Ndërsa 50 depozituesit e mëdhenj mbanin 10.42% të totalit, nga 10.47% që kishin një vit më parë.

 

Vitin e kaluar depozitat bankare u rritën me ritmet më të larta në dekadën e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 ato kishin vlerën e 1.29 trilionë lekëve, 7.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Prirja e përgjithshme për kursim mes shqiptarëve, për shkak të pasigurisë se shkaktuar nga pandemia, që rritja e depozitave të mbështetet edhe nga një bazë më e gjerë depozituesish. Rrjedhimisht, kjo mund të ketë ndikuar në uljen e peshës specifike të depozituesve më të mëdhenj të sistemit.

 

Sidoqoftë, vlerat e zotëruara prej këtyre individëve (ose subjekteve) ngelen të konsiderueshme. 5.2% e depozitave totale në fund të vitit 2020 do të përkthehej në një vlerë prej rreth 67 miliardë lekësh ose rreth 540 milionë eurosh në llogaritë e 10 depozituesve. Në fund të vitit 2019, depozitat e zotëruara nga 10 depozituesit më të mëdhenj ishin rreth 65.6 miliardë lekë. Kjo tregon se në vlerë depozitat e tyre janë rritur, megjithëse pesha e tyre ndaj totalit ka rënë.

 

Vlera e depozitave bankare të 20 depozituesve më të mëdhenj në fund të vitit 2020 llogaritej në afërsisht 93 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kishte qenë rreth 88.5 miliardë lekë. Për 50 depozituesit më të mëdhenj, vlera e depozitave bankare totale llogaritet në rreth 135 miliardë lekë, nga rreth 124 miliardë lekë një vit më parë.

 

Këto shifra tregojnë se më të pasurit kanë vazhduar ta rrisin atë pjesë të pasurisë të mbajtur në formën paraje në sektorin bankar.

 

Një tendencë e ngjashme u konfirmua edhe nga raportimi vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), që tregoi se për vitin 2020 rreth 101 mijë individë, (3.9% e totali të individëve depozitues), zotëronin pjesën më të madhe të depozitave bankare. Në total kursimet e tyre përbënin 56.8% e totalit, duke u rritur nga niveli 56.5% që zinin një vit më parë./Monitor