Makina aksidenton qytetarin, policia nuk gjen autorin e ngjarjes

98

Në emisionin “Stop” në Tv Klan është trajtuar çështja e Fredi Zeqiraj nga Fieri i cili tregon se në datën 3 Prill 2021, i është ndërprerë rruga nga një makinë e kuqe dhe ka rënë në tokë, duke dëmtuar ligamentin e këmbës së majtë. Drejtuesi i makinës është larguar.

 

Fredi thotë se i është sekuestruar motori, patenta dhe leja e qarkullimit, por nuk i jepet informacion për zbardhjen e ngjarjes. “Stop” komunikoi me punonjësin e policisë, që ka bërë pasqyrimin e aksidentit në vendin e ngjarjes. Sipas tij nuk ka patur asnjë kamera funksionale aty rrotull dhe dosja në prokurori ka shkuar pa një emër autori.

 

Gazetarja: Mund të na tregoni si ka rrjedhur ngjarja ditën e shtunë, datë 3 Prill?

Fredi Zeqiraj: Isha duke çuar një porosi tek një karburant, në ecje vjen një makinë përballë dhe pa asnjë lloj sinjali më ndërpret rrugën, më përplas dhe ikën më lë aty. Bie në tokë, këmbën nuk e ndjej më dhe në kokë goditem. Vijnë disa persona që ndodheshin afër më ngritën dhe më çuan në trotuar.

 

Sa u ula ka ardhur një makinë tjetër dhe motorin e ka përplasur prapë dhe ka ikur. Kam telefonuar ambulancën, policinë dhe më kanë marrë më kanë çuar në spital. Nuk e di më se çfarë ndodhi me motorin tim dhe me çështjen dhe s’më shpjegon askush.

Gazetarja: Juve ju është bllokuar mjeti i motorit, patenta dhe nuk dihet se kush ua ka bërë dëmin?

 

Fredi Zeqiraj: Nuk e di kush ma ka bërë dëmin dhe nuk po marr asnjë zgjidhje, nuk di ku të kërkoj një përgjigje.

Gazetarja e emisionit ka realizuar një komunikim telefonik me punonjësin e Policisë për këtë ngjarje, por ai shprehet se asnjë kamer në vendin e ngjarjes nuk ka qenë funksionale dhe nuk është identifikuar ende makina e kuqe, madje po vazhdojnë të punojnë për këtë çështje.

 

Punonjësi i Policisë: Policia po punon. Kemi kontrolluar kamerat në vendin e ngjarjes, kemi kontrolluar kamerat te Qtu-ja, kemi kontrolluar kamerat në lagje. Pavarësisht, që janë ato nuk janë funksionale. Po punojmë!

 

Gazetarja: Në të gjithë perimetrin që ju keni kontrolluar, nuk ka patur asnjë kamerë funksionale?

Punonjësi i Policisë: Po! Te Qendra Tregtare nuk punojnë. Te kthesa te Qtu-ja nuk punojnë, e kanë pamjen brenda.

 

Gazetarja: Në këtë mënyrë ju i keni çuar materialet në prokurori, por pa një identifikim?

Punonjësi i Policisë: I kam çuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. U bë vendim për kryerje të ekspertimit auto-teknik, jemi në pritje të akteve. U bë vendim për kryerje e ekspertimit mjeko-ligjor për shtetasin Fredi Zeqiraj, jemi në pritje të akteve. /tvklan.al