“S’e rruaj për ju, jeni legena!”/ Pjerin Ndreu kallëzohet penalisht nga 3 efektivë, i pengoi për shoqërimin e pronarit të një hoteli, të nesërmen kërkoi të ndiqen penalisht

120

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka përfunduar në dyert e Prokurorisë së Lezhës, pasi është kallëzuar penalisht nga tre efektivë të Policisë së Shtetit. Të tre uniformat blu pretendojnë se Ndreu i ka penguar që të ushtrojnë detyrën e tyre në përputhje me ligjin.

 

Burime për “Panorama” kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes në zonën e Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit. Në përputhje me ligjin dhe urdhërat e lëshuar nga Komiteti i Ekspertëve, punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit për të respektuar orën policore.

 

Por kanë hasur rezistencë, ndaj në ndihmë të Patrullës kanë shkuar edhe forcat “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë pronarin e hotelit. Pikërisht në këtë moment është shfaqur edhe Pjerin Ndreu, i cili i ka kërkuar që të largohej me frazën: Ligjin e bëj unë…

 

Debati ka vijuar edhe për pak dhe si përfundim efektivët janë detyruar që të largohen por hakmarrja e Ndreut nuk është ndalur me kaq. Një ditë më pas, ndaj dy efektivëve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eprorët e tyre për “Shkelje të rëndë të atributeve e kompetencave të Policisë”, me argumentin se në hotelin ku kishte muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj.

 

Por edhe efektivët nuk kanë lejuar ngjarjen që të kalojë pa kundërpërgjigje duke nisur një proces gjyqësor me kryebashkiakun, i cili duket se ka harruar që Policia e Shtetit është institucion më vetë, jo i varuar nga Bashkia dhe se urdhërat i merr vetëm nga ligji.