Shkaktoi aksidentin që i mori jetën familjes nga Patosi në aksin Fier-Vlorë, arrestohet 22-vjeçari

Igli Madani, 22-vjeçari që po drejtonte mjetin tip “Audi” në aksidentin tragjik në aksin Fier-Vlorë është vënë në pranga.

Sipas policisë, i riu ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me të cilin po udhëtonin anëtarët e familjes Gushi.

Si pasojë e aksidentit tragjik humbën jetën Eduarti me Silvanën si edhe dy vajzat e tyre, Anastasia dhe Eva, njëra 14 dhe tjetra 9 vjeçe. Kurse, të plagosur mbetën edhe personat që ndodheshin në mjetin tip “Audi”, Igli Madani, Fabio Lamaj, 21 vjeç dhe 24-vjeçari Glorian Selimaj.

Makina tip “Audi” dyshohet se ka devijuar nga rruga duke marrë përpara automjetin ku po udhëtonin katër familjarët duke i nxjerrë ata në anë të saj. Si pasojë e goditjes së fortë makina e familjes Gushi u shkatërrua tërësisht duke e bërë të vështirë edhe nxjerrjen e trupave të katër viktimave.

Pasi ka përplasur “Toyota-n” me targa greke, makina e tre të rinjve ka vazhduar të ecë me shpejtësi duke u përplasur edhe me një shtyllë. Katër pjesëtarët e familjes Gushi kishin ardhur nga Greqia për pushime në Shqipëri, por udhëtimi i mëngjesit të sotëm rezultoi fatal për ta.

TE TJERA