Shkaqet që çuan në humbjen e PD/ Ish-presidenti “kryqëzon” Bashën me fakte, nuk kursen as Ramën

139

Ish-presidenti Bujar Nishani ka analizuar situatën politike në vend, ndërsa numëron edhe faktet, që sipas tij kanë çuar PD-në në katastrofë elektorale. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Nishani komenton edhe zgjedhjet e 13 qershorit, për kryetarin e PD, për të cilat thotë se nuk sollën asnjë risi.

 

Sipas Nishanit, dy ndër faktorët kryesorë që çuan PD në humbje ishin “Së pari, Edi Rama e kishte shndërruar pushtetin e tij të pakufizuar e të pa kontrollueshëm nga askush pothuajse në një regjim kleptokratik ku korrupsioni, antiligji, dhe fasada propagandistike ishin kolonat e ngrehinës që mbante peng shqiptarët.

 

Së dyti, Lulzim Basha, e kishte mbajtur opozitën në një stanjacion politik, strukturor, pa nerv vibrant e larg qytetarisë, larg kolonave përfaqësuese të së djathtës dhe elitës së vendit.”. Po ashtu, Nishani thekson se “Pikërisht ky realitet i trishtë e kjo sfidë dramatike duhet të nxiste PD dhe detyronte L. Bashën të krijonin hapsirën e një projekti të ri politik, krejt të ndryshëm nga ai i 2013-2021, që rezultoi i pasuksesshëm dhe i dështuar !

 

Por në vend të kësaj, L. Basha nxitoi të bënte një maskaradë elektorale për karrigen e tij dhe tashmë zgjedhje antistatutore të parakohëshme për institucionet drejtuese të Partisë !” Gjithashtu Nishani shkruan 13 Qershori tregoi edhe një fakt të rëndë për vetë PD.

 

“Përsëri për herë të parë në historinë e saj, PD drejtohet nga një Kryetar i cili doli nga proçesi zgjedhor me votat e vetëm 30% të anëtarësisë, pra që përfaqëson minorancën brenda kësaj partie, madje duke marrë 40% më pak vota se sa kishte marrë në zgjedhjen e tij paraardhëse në 2017 !”-shkruan kreu Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.

 

Ndër të tjera Nishani thekson se qeverisja e PS sot është më e paafta dhe më e korruptuara, por sipas tij PD sot paraqet “kërcënimin” më të dobët se kurrë më parë ndaj qeverisjes së PS.