Basha rikonfirmohet bindshëm në krye të PD, ja çfarë ndodhi

195

Në Shqipëri kryetari aktual Lulzim Basha, u rikonfirmua për një mandat të tretë në drejtimin e Partisë Demokratike, pas votimit të zhvilluar të dielën në të gjithë degët e kësaj force politike.

 

Ndonëse rezultati nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, të dhënat paraprake flasin për një fitore bindëse të zotit Basha me afro 81 përqind të votive. Në këtë garë, morën pjesë pak më shumë se 41 mijë demokratë nga mbi 75 mijë të rregjistruar si anëtarë të kësaj partie. Ndër tre rivalët e tjerë të zotit Basha, i dyti u rendit Agron Shehaj, me 14.8 përqind të votave, duke lënë pas me 2.4 përqind zonjën Edit Harxhi dhe me 1.8 përqind Fatbardh Kadillin.

 

 

Demokratët zhvilluan garën për kryetarin e tyre të ardhshëm nën hijen e një rezultati tjetër zhgënjyes në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat rikonfirmuan në pushtet socialistët për të tretin mandat radhazi.

 

Kryetari në fuqi, Lulzim Basha nuk e ka pranuar humbjen duke folur për një masakër elektorale, e duke premtuar vazhdimin e betejës, ndaj atij që e quan rregjim i kryeministrit Edi Rama. Në të kundërt, sfidantët e tij në garë bënë atë përgjegjës, duke theksuar se pavarësisht të gjitha pretendimeve, Partia Demokratike, mbeti në opozitë për një tjetër 4 vjeçar.

 

Zgjedhjet brenda partisë Demokratike u shoqëruan me kritika nga rivalët e zotit Basha, të cilët që në fillim folën për një garë të pabarabartë, për shkak të kohës së shkurtër, mos pasjes së listave të anëtarëve të partisë apo dhe faktit që zoti Basha mori pjesë në garë duke shfrytëzuar mbështetjen e të gjithë administratës dhe strukturave të Partisë.

 

Megjithatë zoti Basha e konsideroi këtë garë si një proces unik të vlerave të demokratëve: “Këto janë vlerat tona, janë vlerat e demokracisë, e shprehjes së lirë dhe vlerat e debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Me këto vlera do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi”.

 

Por tre sfidantët e tjerë kishin një këndvështrim të ndryshëm. Për zotin Fatbardh Kadilli, “shqetësimi im i vërtetë sot, është fryma me të cilën do të dalin anëtarët e PD nga ky proces. PD dhe anëtarësia e saj në një kohë shumë të shkurtër kishin detyrimin për një reflektim shumë të madh. Eshtë hera e parë që një forcë politike shtrëngohet që në pak kohë të reflektojë shumë”.

 

Ndërsa kandidati tjetër, Agron Shehaj, u shpreh se “këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standarti është i ulët, ky proces mund të kthehet në një boomerang për PD. Eshtë e rëndësishme se kush do të fitojë nga kandidatët, por është akoma më e rëndësishme besueshmëria e PD”.

 

Nga ana e saj zonja Edit Harxhi tha se “është një ditë shumë e rëndësishme për ne. Uroj shumë të ketë një pjesmarrje masive, sepse në sot votojmë për ndryshimin, për një reformim të plotë e të thellë të PD, ringritjen e saj mbi vlerat e vitit 1990.”

 

Rivalët e zotit Basha kanë denoncuar gjatë ditës parregullsi në proces. Fillimisht ishte zoti Shehaj i cili bëri të ditur se në disa zona vëzhguesit e tij nuk ishin pranuar. Më vonë gjatë ditës dhe zonja Harxhi ngriti shqetësime për tkurrje të listës së anëtarëve të Partisë, për raste votimi familjar, apo fotografimi të votës, duke pretenduar parregullsi të shumta.

 

Kryetari Komisionit të zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana në të kundërt ka folur për një proces normal, apo probleme të cilat kanë gjetur sipas tij zgjidhje./VOA.