Basha sposton LSI dhe u dërgon sërish mesazh aleatëve, Kryemadhi “braktis” partinë, kërkohet rikthimi i Ilir Metës në krye të saj

160

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se po i heq mundësinë Lëvizjes Socialiste për Integrim që të krijojë grup parlamentar, pas konstituimit të Parlamentit të ri në shtator.

 

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, LSI e drejtuar nga Monika Kryemadhi doli partia më pak e votuar dhe pëlqyer nga qytetarët shqiptarë, pasi në finale arriti të merrte 4 mandate deputetësh, nga 19 të tillë që kishte marrë në zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Vetë Lëvizja Socialiste për Integrim nxitoi t’i etiketonte këto zgjedhje si të trukuara nga Partia Socialiste, ndërsa nisi fushatën e ankimimeve, duke kontestuar rezultatin.

 

Për rrjedhojë, humbja drastike që mori në zgjedhje u reflektua edhe në raportet e LSI me PD-në, pasi eksponentë të partisë së Kryemadhit drejtuan gishtin nga kryedemokrati Basha, të cilin e bënë fajtor për tkurrjen që pësuan, pasi për ta nuk pati bashkëpunim mes partive.

 

Basha i heq mundësinë LSI

Por marrja e vetëm 4 mandateve, përveçse e dëmtoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, e ka futur këtë të fundit në një rrugë pa zgjidhje, pasi ajo nuk është në gjendje të formojë as edhe një grup parlamentar me atë numër deputetësh që ka. Sipas ligjit dhe më konkretisht në nenin 15 që flet për “Formimi i grupeve parlamentare”, bëhet e ditur se numri që nevojitet për të formuar një grup parlamentar është mbi 7. Mirëpo, LSI ka vetëm 4 dhe e vetmja shpresë që ka është të bëjë për vete aleatët e Bashës, që të bashkohen për të krijuar grup parlamentar. Por lideri demokrat, ndonëse u vu në qendër të sulmeve nga aleatët e tij, ditët e fundit iu ka shtirë dorën e bashkëpunimit atyre, duke ua bërë të ditur se do hartojnë së bashku një strategji kundër kryeministrit Edi Rama.

 

“Nuk e njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të kryer mbi popullin tim, mbi qytetarët e mi, mbi Shqipërinë tonë dhe mbi demokracinë. Por do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Thënë kjo, nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte, ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri demokratet dhe demokratët”, deklaroi Basha. Kjo do të thotë se Basha, përveçse po kërkon të rifitojë zemrën e aleatëve të tij, po i heq mundësinë edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të krijuar grup të saj parlamentar.

 

Kryemadhi vijon pushimet në SHBA

Por duket se rezultati zhgënjyes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ka ndikuar edhe në humorin e kryetares së LSI, e cila për t’u ngushëlluar është “arratisur” drejt Amerikës. Zonja Kryemadhi në 17 maj u zbulua se kishte shkuar në Los Anxhelos, ku dhe është takuar me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha. Mirëpo kur kanë kaluar gati 20 ditët nga kjo shfaqje, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk është dukur më në rrjetet sociale dhe media, ç’ka tregojnë se ajo vijon pushimet në SHBA. Kjo do të thotë se edhe ajo, sikundër ish-kryeministri Sali Berisha, nuk po i kapërdijnë dot vendimet e forta, duke gjetur si zgjidhje ngushëlluese, zhdukjen nga qarkullimi.

 

Strukturat e LSI kërkojnë rikthimin e Metës

Megjithatë, telashet për Monika Kryemadhin nuk mbarojnë, pasi humbja që korri Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ka rebeluar strukturat e LSI, të cilat kërkojnë rikthimin e Ilir Metës në krye të partisë. Një sinjal të kësaj natyre e ka dhënë kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit, Kejdi Mehmetaj. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për mediat pak ditë më parë ka kërkuar hapur rikthimin e Metës në krye të LSI. “E ardhmja e LSI do të jetë e mirë. Ilir Meta duhet të vijë në LSI, pasi të mbarojë mandatin, pasi ka qenë ai që i ka dhënë një fitore historike me 19 mandate”, deklaroi Mehmetaj.