Filip Daija një nga gaztorët e qytetit tim… dhe “bëmat” e tij

Shkodra është shquar edhe për “letërsinë” humoristike. Zakonisht e kanë bërë gaztorët. Emrat e tyre përmenden edhe sot e kësaj dite në bisedat e shkodranëve. Tregohen thëniet e historitë e tyre. Në këta emra hyn edhe Filip Daija, me zanat rrobaqepës. Çuditërisht, po këtë zanat kishte dhe një gaztor tjetër me emër. Ai quhej Kolë Tivari. Por dy profile të ndryshme.

 

Vinte nga një familje që shquhej për humor. Genin e këtij humori e gjejmë tek një xhaxha i Filipit. Quhej Jak Daija, sahatçi në Pazarin e Shkodrës. Komik i lindur. Për të tregojnë edhe këtë histori. Ditën e Pazarit, në dyqanin e Jakut, një fshatar la një thes me misër, se nuk iu shit. Ishte mësuar një mi i madh e shkonte çdo natë e hante atje për shtatë palë qejfe.

 

Por kjo nuk vazhdoi gjatë se javën tjetër, të merkurën erdhi fshatari dhe mori thesin e misrit. Miu, nga që ishte mësuar çdo natë të hante misër “qyl”, u dëshpërua së tepërmi ngaqë s’gjeti gjë, i zemëruar e i dëshpëruar i hëngri veshin Jak Daisë, nga që flinte shpesh në dyqan. Atëherë Jaku, bëri si bëri, dhe një ditë e zuri miun. E “ekzekutoi” midis pazarit e në ditën e pazarit, në prani të rreth 200 vetëve.

 

Ky ishte, pra, Jak Daija, xhaxhai i Filip Daisë. Kurse i ati, Ndreka, ka qenë këpucar. Alamet burri, trupmadh e me mustaqe. Ka qenë këngëtar popullor. Çuditërisht nuk ka qenë shakaxhi, ka qenë serioz. Ky seriozitet sikur e “prishte” rrjedhën e humorit në trungun familjar të Daijeve. Si këngëtar që ka qenë, në atë kohë ka pasur dhe disqe, kështu që ishin të regjistruara edhe këngët e kënduara prej tij, si: “Vallë si kenka ba dynjaja”, “Ti, o det, o ujë i njelmët” etj.

 

“Ka vdekë Filip Daija! Vizitat priten në kafe “Moska”

Të kthehemi tani te Filipi. Ai hyn në vazhdën e atyre gaztorëve që mbahen mend, si: Osoja i Falltores, Hila i Files, Zef Hilgega, Rrok Nushi, Bixh Trimi, Miço Kola, etj. Kush në një mënyrë, kush në një tjetër, kanë pasur figurën e vet, stilin e tregimit, mënyrën e rrëfimit, stilin e thënies së gjërave ose të përgjigjeve që janë fokusuar, tashmë, me shprehjen proverbiale shkodrane: “Qit e prit”.

 

Filip Daija është një nga gaztorët e veçantë të qytetit të Shkodrës. Skena e tij e vetme gjithmonë ka qenë mejhana. Rekuizita e tij ka qenë: gota e rakisë, kokrra e ullirit, pak djathë ose një saragë e thatë, dhe si dekor rreth e qark ka pasur tavolina që komunikonin me të gjithë. Nuk mund të merrej me mend e qeshura që bëhej në mejhanë! Strumbullari i gjithë kësaj të qeshure ishte gaztori Filip Daija.

 

Zakonisht ka shkuar në mejhanën e Tom Çapalikut. Por shkonte edhe te Lin Prela, te Lin Prendi, te Kolë Tezukja, sa te njeri e sa te tjetri, nëpër mejhanet e kafenetë nga më pikantet që kishte lagjja “Serreq”, të cilat mendohen të kenë qenë afro njëzet e gjashtë. Aty, zbuloheshin të gjitha ngjarjet e Shkodrës, çfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, ka ka vdekur, kush është martuar, kush është fejuar, kush është bërë hor,, kush është bërë pasanik, kush e kush… Aty, pra, përmes të qeshurave, silleshin të tëra ngjarjet e qytetit, dhe të gjitha këto trajtoheshin me atë humorin e thjeshtë, fin shkodran e të pambarim të këtyre njerëzve të thjeshtë.

 

Filipi, shpesh “stacionin” e ka pasur edhe në kafe “Moska”, ashtu si te “Shangai”, etj. Bile, te kafe “Moska” ka edhe një histori të vërtetë. Financat i sollën tatimin. Filipi s’kishte me se ta paguante. Gjeti një letër vdekjeje, e futi brenda xhamash dhe shkroi: “Ka vdekë Filip Daija! Vizitat priten në kafe “Moska””.
Filipi, që ishte brenda, shihte se ç’po ngjante jashtë, para dugajës së tij. Njerëzit mblidheshin me kureshtje, e lexonin, ndonjëri edhe dëshpërohej… Po kur lexonin: në kafe “Moska”, ktheheshin e qeshnin me të madhe.

“Tash jam ba serioz!”

Filipi, si gaztor, ishte spontan. Ai kurrë nuk mendonte se po shkonte t’i bënte të tjerët të qeshnin, sepse do të ishte i pasuksesshëm. Filipi ishte i sukseshëm, aty, ku nuk e priste askush. Ishte ai që krijonte zakonisht situatën e papritur të humorit, e cila përligjej me batutat e tij humoristike, shpesh të paarritshme. Dhe i tillë mbeti, sepse edhe sot s’harrohen fjalët e tij. Përmenden, jo vetëm duke u përsëritur batutat e humori, por duke sjellë edhe në kujtesë, edhe emrin: Filip Daija.

 

Tregojnë që Filipi… u martua vonë. Të nesërmen, kur mori nusen, kishin dalë shokë të mejhanes dhe miq, gaztorë e hokatarë të Shkodrës, për ta pritur Filipin. Nusen e mori nga Korça. Ata kishin zënë rrugën nga do kalonte Filipi me nuse. Ishte një rrugicë e ngushtë, dhe për së gjeri kishin vënë një shkallë goxha të madhe. Makina nuk mund të kalonte se ishte zënë rruga. Aty i zunë “pritë”, pastaj e gjuajtën Filipën me misër, me kokrra groshe, me guralecë, me gjysma lekësh, me karamele, me çokollata, me lule dielli, etj., etj. E Filipi tërë seriozitet u thoshte: “Largohuni, largohuni! Tash jam ba serioz! Largohuni!..”

 

Një krapi qorr

Tregojnë edhe për një histori tjetër për Filipin. Pikat e dobëta të tij, se shkonin gjithmonë bashkë e kanë qenë të një zanati; ishin Lin Pepa dhe Ndoc Triepshi. Të tre, miq të ngushtë, e kanë plotësuar njëri-tjetrin.

Ndoc Triepshi çohet e blen një krap. Edhe thotë: “… po shkojmë e po e hamë te Filipi e po pimë raki.” E qorrojnë krapin në njërin sy.

 

I ati i Filipit ka qenë qorr dy sysh. Daja tjetër, i madhi, ka qenë qorr me një sy. Daja tjetër që ishte në Itali, prej këtu pati shkuar qorr e atje i erdhi drita e syrit pas një operacioni. E kanë pasur këtë sëmundje traditë të familjes. Edhe maçokun, çuditërisht, e kanë pasur qorr…
I thonë tërë ‘seriozitet: “Shife Filip, edhe krapi të ka takue qorr…”
Rreth portretit gazmor të Filipit…

Cilësitë e gazmores së Filipit përkonin me një traditë të re qytetarie shkodrane, që i takojnë viteve 1940 – 1980. Ndryshe nga gaztorët e tjerë, ishte opozitar me sistemin monist. Tallej me regjimin e Hoxhës. I buronte gazi dhe batuta prej shpirtit. Ishte i pari që me idenë e tij e vuri humorin (me zarar) në gojën e Bixh Gjelucit.

 

Filipi ka pasur dy nipa: Paç Kallmetin dhe aktorin e teatrin “Migjeni”, Bep Shirokën. Me Paçin nuk kam pasur rast të kem qoftë një përshëndetje, pa le të pi një kafe me të. Kurse Bepin e kam pasur mik të vyer. Shumë nga gazmoret, më të bukura të Filipit, i kam dëgjuar nga Bepi. Si sot e kujtoj, kur Bepi më thoshte e më përsëriste “recetën” e përditshme të Filipit: “Humori asht si mezja ma e mirë për atë që don me jetue me gaz e alegri!”

 

E për “bëmat” e shumta të Filipit, ka pasur njerëz në Shkodër që me shumë fanatizëm ruanin autorësinë e tij, por edhe i tregonin bukur e plot humor, siç ishin: Filip Gjergji, Tano Banushi dhe Angjelin Kumria. Ndërsa fotografi Angjelin Nënshati e vendoste fotografinë e Filip Daisë në krye të fotoalbumeve të tij. E kishte pikë “të dobët”.

Pak gaz nga gazi i Filipit…

Në vitet e fundit të jetës cakun e ka pasur përfundimisht te kafe “Moska”. Aty bisedonin dhe bënin shaka. Edhe gjatë kohës së Monizmit, nxirrte batuta që ishin të rrezikshme për kohën që jetonte. Por Filipi si gaztor që ishte, humorin nuk mund t’ia ndalte askush… Tregojnë një herë se një qen po vraponte me të madhe nëpër piacë. Filipi i drejtohet një shoku të tij: “Shife more, ka vonue me shkue në mbledhje të organizatës së partisë”. Ose një ngjarje tjetër. Një ditë Filipi merr një gomar, e ngarkon me dru dhe e çon në Degë të Brendshme. I thotë gomarit: “Hajt, ec para, se kanë nevojë me ble dru!”

 

Të tilla ngjarje e situata ka plot Filipi. Jo vetëm Filipi, por edhe gaztorët e tjerë. “Letërsinë” që ata krijuan me talent, humor, pasion dhe dashuri; nuk duhet të humbasë, por duhet të mblidhet, të botohet, si dhe të studiohet.

 

Filipit i lindi dhe një djalë… Emrin ia vuri Andrea. Tani është muzikant (oboist). Çuditërisht nuk trashëgon asgjë nga i ati.

Teksa, një ditë, çonte Andrean e vogël në kopsht, u thoshte njerëzve rrugës: “He, sa të pa risk, na gjyshat. Na i rritëm tonët, e tash po i rrisim të fëmijëve!” Ose kur i thoshin njerëzit rrugës: “Djali!.. Sa mirë, djalë!” E ai u përgjigjej me “seriozitet”: “Po, djali. E kur të rritet djali kanë me i thanë në shkollë, ç’ka të punon baba? Ai tash po u thotë: “Ka vdekë”!”

Kjo natyrë ka qenë Filipi!… Me një zemër bujare!..

 

Ndërroi jetë në fillim të viteve ’90, në moshën 85 vjeçare. Simpatik, kur ka qenë i ri, burrë simpatik edhe kur u plak. Një plak i bukur në mund ta quajmë kështu.
Ka qenë burrë i gjatë, me flokë të bardhë, i thinjur, shumë fisnik. Ky ishte Filip Daija, një nga gaztorët me emër të qytetit tim të lindjes, Shkodrës, të cilën e donte aq fort.

Dy histori, krahas shumë historive, të Filip Daisë…
1.
Në pijacë ka qenë një restorant që quhej “Peshku”. Në tavolinën e parë ulej gjithmonë Filipi së bashku me nipin e tij Paç Kallmetin me pi raki me meze: tavë krapit.
-Pse i merr erë peshkut daja Filip, ai asht i freskët, – i thotë Paçi.
-Nuk i mora erë, por e pyeta ashtu si kot: “Çfarë të rejash kena prej detit?”
-E, ça të tha?..
-Më tha: “O Filip, kam dhetë ditë që kam dalë prej ujit, e… n’daç m’ha e n’daç…”

 

2.
Filipi kishte ditëlindjen e gruas. Pasi bleu ca gjëra në dyqan për të, diku te një shok përgatiti edhe një tufë me lule, që i pëlqenin së shoqes. Niset për në shtëpi, pa kthyer kryet pijetoreve. Rrugës e shef Leka, një kojshi i tij.
-Ça e ke at’ tufë me lule aq të bukura, mor Filip? – e pyeti Leka.
-Për datlindjen e gruas.
-Urime, Filip! T’u baftë gruja 100 vjeçe! – e uron Leka.
-Uuuu, ty t’u thaftë goja!.. – ia pret Filipi.
-Pse, mor?!
-Pse s’po më thue: “T’u baftë 20 vjeçe!”

 

Shkodra është shquar edhe për “letërsinë” humoristike. Zakonisht e kanë bërë gaztorët.

Ata i dhanë Shkodrës humorin dhe gazmendin që rrallë e gjen në ndonjë qytet tjetër. Në shumicën e rasteve, ishin zanatçinj.

 

Nuk jetonin me bejtet, gazmoret e anekdotat e tyre. I bënin për qejf për të dëfryer e gëzuar njerëzit, për t’ua zbukuruar atyre jetën e përditëshme. I tillë, mes gaztorëve, ishte dhe gaztori Filip Daija.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...