Denoncimi në “Stop”, pezullohen dhe ndalohen nga policia dy mjekët që merrnin ryshfet

139

Pas pamjeve filmike të transmetuara në emisionin Stop në TV Klan, ku dy prej mjekëve në Spitalin e Fierit shfaqen duke u marrë ryshfet qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka kërkuar Spitalit të Fierit pezullimin e tyre nga detyra ndërsa organeve kompetente hetimin e plotë të ngjarjes. Mësohet se mjeku psikiatër Agim Sula dhe mjeku ORL, Eduart Shyti, aktualisht janë pezulluar nga detyra.

 

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të denoncojnë çdo rast korruptiv, abuziv dhe sjelle jo korrekte pranë strukturave të shëndetësisë, duke i siguruar se çdo rast që njollos punën e qindra e mijëra bluzave të bardha, do të marrë ndëshkimin e merituar. Ministria e Shëndetësisë falenderon emisionin Stop në TV Klan për denoncimit e dy rasteve korruptive dhe inkurajon qytetarët të mos bëhen palë e veprimeve të tilla, por t’i denoncojnë në çdo rast”, thuhet në një njoftim.

 

Pas këtij njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë, reagoi edhe Policia e Fierit. Përmes një njoftimi për shtyp uniformat blu bënë me dije se kanë ndaluar mjekët Sula dhe Shyti për korrupsion pasiv.

 

“Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve A. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek psikiatër pranë Spitalit Rajonal Fier dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë mjek ORL pranë Spitalit Rajonal Fier”, thuhej në njoftim.

 

Emisioni “Stop” publikoi të enjten kamerën e fshehtë se si marrin para mjekët për vizitat apo konsultat mjekësore. Psikiatri Agim Sula është filmuar duke i marrë një qytetareje 10 mijë Lekë, pasi ajo kërkoi konsultë për dhimbjet e kokës. Ndërkohë në një rast tjetër një qytetar denoncoi se si mjeku ORL Eduart Shyti, i kërkoi 50 mijë Lekë të vjetra për një ndërhyrje në vesh./tvklan.al