MOS E BESO PO DESHE – Ja kush ndërmjetësoi hapjen e dyerve të stadiumit “Air Albania” për finalen e Kupës

143

Zbulohet se kush bëri të mundur, me ndërmjetësimin e saj, të hapen dyert e stadiumit “Air Albania” për finalen e Kupës së Shqipërisë. Pavarësisht kërkesave publike të FSHF- së dhe Bashkisë Shkodër për hapjen e dyerve me numër të reduktuar tifozësh, Kryeministri dhe ministrja Manastirliu, nuk do t’ ia kishin vënë veshin…nëse nuk do të ndërhynte…Edona Bilali.

 

Një emër tashmë jo i panjohur prej rreth 3 muajsh si kandidate për deputete e sot e zgjedhur, ajo e ka pohuar vetë këtë fakt. Në një postim në Facebook, ajo thotë se është bërë urë për ti kërkuar Kryeministrit të lejonte numër të limituar tifozësh në stadium për finalen e Kupës së Shqipërisë. E shefi i qeverisë nuk ka marrë parasysh kerkesën as të FSHF- së si “qeveri e futbollit”, as të Bashkisë Shkodër si pronare e KF Vllaznis sh.a. por vetëm të Edonës.

 

“Sonte Vllazninë e duartrokasim në stadium. Tifozët më kërkuan publikisht që të bëhesha urë për ti kërkuar Kryeministrit tna lejonte në stadium sigurisht me numra të limituar dhe duke respektuar masat ndaj COVID-19.

 

E kërkuam dhe na u pranua ndaj një falenderim special që nuk thotë kurrë “Jo” për Shkodrën. Falenderim gjithashtu edhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që mirëkuptoi kërkesën tonë. Tani është rradha jonë që me distancim fizik ta shpërblejmë. Sonte zemra rreh fort ❤️💙 #vllazniazemrajonë #edonashkodren”, shkruan Edona Bilali, deputet e zgjedhur e Shkodrës me 25 prill.

 

Mos e beso po deshe! Imagjinoni, vetëm 3 muaj në politikë dhe hap dyert e stadiumit duke i mbushur mendjen Kryeministrit që nuk thotë “jo” për Shkodrën. Në fakt, nga hapja e dyerve, përfituan edhe korçarët, edhe disa tiranas por edhe nga qytete të tjera. Cila mund të jetë kërkesa e radhës që mund të ndermjetësojë Bilali…?! Ti bëhet urë Kryeministrit t’ia falë borxhet Vllaznisë…në rastin më të keq, ti falë kamatvonesat. Meqë i ecka fjala…

 

Fjala jonë, përmes urës, në vesh të Perendisë…dmth në këtë rast, në vesh të Kryeministrit që quhet Edi Rama! /ShkodraWeb/