“Të njëjtën dëshirë kam, në qofsha gjallë, me e pa prap Kafen e Madhe”, thirrja e “kojshisë” që e kishte në mahallë…

193

Lexova në FB nji njoftim që Kafen e Madhe e kanë shembë! Edhe shtëpia e ime e vjetër, në rrugicën e Kafes së Madhe, vetëm 30 metra larg saj, asht shembë prej kalbësinës para nja dy vjetesh, mbasi kishte 25 vjet që nuk banonte kush në të!

Po të kishim pare me “thes” unë dhe im vëlla i cili banon në Tiranë, do ta ndërtojshim nji shtëpi, vilë, në atë truell në mes të Shkodrës sepse aty jetuem 50- të e sa vjet.

Më merr malli për shtëpinë time, për kojshite e mi por edhe për Kafen e Madhe me të cilën edhe mue me lidhin shumë kujtime. Due ta shof atë godinë historike e monumentale të rindërtueme por tuj ruejt çdo detaj të saj, si nga jashtë ashtu nga mbrendë. Shumë dëshmitarë okulare e shumë foto janë gjallë!

Çka do të dëshiroja unë që të ndryshonte në ambientin e mbrendshëm të saj, janë banjot! Më kujtohet kur, mbasi pijshim do krrikla me birrë rresht, vrapojshim me xanë radhën tek nji banjo sa nji birucë! Kur radha ishte e madhe, pshurreshim mbas Kafes së Madhe (me përjashtim timin se unë e kisha shtëpinë afër).

Sot, me materialet e ndërtimit e teknologjinë që ka hy edhe në Shqipni, mund të ndërtohet Kafja e Madhe, ashtu siç ka qenë, për bukuri. Kur vij për vizitë në Shkodër e shof godinat e restaurueme në pedonale, që ne i kemi thanë Piacë, më kënaqen syte dhe e shuej disi atë mall sepse kur u largova unë, ne vitet 97- të, e lashë gërmadhë.

Unë kam qenë edhe prap jam kundër prishjes së Teatrit Kombetar. Jam për rindërtimin e asaj godine historike, bash ashtu siç ka qenë ma parë…sigurisht me rinovime moderne mbrenda saj por pa ia prishë “çerdhen”!

Të njëjtën dëshirë kam, në qofsha gjallë, me e pa prap Kafen e Madhe të cilën e kisha në mahallë! I uroj atyne që e kanë marrë përsipër këtë barrë, me gjithë zemër, u shkoftë puna e mbarë. Me nderim për qytetin tim, kojshia i Kafes së Madhe. /Publikuar në Facebook nga Ymer BALA, aktor “Mjeshtër i Madh”/