“Jam grua dhe nënë” Kryetarja e Gjykatës Elbasan reagon pas publikimit të videove: Bëhet për të më prishur imazhin

475

Pas videove të publikuar në rrjetet sociale teksa shihet duke bërë ‘sfilatë’ në ambientet e brendshme të Gjykatës së Elbasanit, ka reaguar dhe kryetarja e këtij institucioni Enkelejda Kapedani.

Ajo ka theksuar se këto pamje janë nxjerrë për të prishur imazhin e saj.

Më tej Kapedani ka shtuar se shpreson që këto sulme të mos jenë ndaj saj personalisht pasi është grua dhe nënë.

“Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate. As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene.

Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjerë keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot”, është shprehur Enkeljda Kapedani.

Videot e gjyqtares në rrjetin social “Tik Tok” janë publikuar nga një llogari me emrin “kapedai33”.

ILD kërkoi nisjen e hetimir disiplinor për kryegjyqtaren.

“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.