Do të tregoj edhe këngën e Dr. Florit”, Landi i dedikon të birit të porsalindur letrën më prekëse

258

Ditën e djeshme, Landi Hysi i “West Side Family”, u bë baba për herë të parë. Partnerja e tij solli në jetë një djalë, të cilin e pagëzoi me emrin Lukas.

Sot, pa kaluar ende 24 orë nga lindja e vogëlushit, këngëtari i ka dedikuar Lukasit një letër shumë emocionuese.

Ai ka treguar çdo ndjesi, nga kuptimi i emrit, te pyetjet e shumta që ka marrë dhe deri te dëshirat që ka për t’i mësuar të birit në të ardhmen.

LETRA E PLOTË:

Lukas
Letër me konstatime, fakte, opinione, dëshira, ndjenja…

26 maj, 05:54, 2021
Tiranë, Shqipëri (Albania), Europë, Botë, Gjithësi…

Mjaft t’hapësh Google dhe aty do t’gjesh informacion mbi shqiptimin, gjininë, domethënien, prejardhjen, faktin se sa popullor është emri yt.
Fakti është që ti erdhe në një mëngjes dhe ditë të bukur dhe kjo vërteton disi domethënien e emrit, por edhe nata ama, një zonjë qokaxhie, nuk mbeti më pas me eklipsin e Hënës së Përgjakur atë datë të 26 majit, ku për rastësi, edhe rastet nga Covid-19 për herë të parë pas 1 viti pandemie raskapitëse ekonomike, psikologjike e shoqërore, ishin zero. Pra, më rrofshin fjalët e bukura, apo përshkrimi individual, kur ajo ditë, në vija të përgjithshme e natyralisht, qe pikturuar nga lart-poshtë përsosmërisht këtu në këtë Botë rrëmudhë (siç thonë gjirokastritët).
Të pashë dhe sytë “më djersitën”. E çuditshme se pse, pasi vapa filloi më vonë, por ti e paske edhe këtë efekt. I dehur, por pa konsumuar asnjë gram alkool.
Ritmeve të mëpasme të tangos jo argjentinase; – i ngjan mami Evës apo i ngjan babi Landit, nuk iu bashkëngjita, ca për ego e ca për realitet, por ajo që vlen për mua, më i rëndësishëm për pamjen apo “fasadën” e jashtme, është fakti se si do jesh ti në shpirt e në mendje sepse në fakt triniteti trup-mendje-shpirt quhet i plotë kur të treja janë në harmoni e ekuilibër. Për më shumë, e sigurisht që gjatë rrugës me të përpjeta e tatëpjeta, do të të tregoj edhe këngën e Dr. Florit #Beso. BOTË E ÇORODITUR!
Ej, po si ka mundësi or burrë! Habitem se si kaq i vogël pa kënduar e veç me lindjen tënde, shkaktove kaq: “Zhurmë, zhurmë, shumë shumë zhurmë!”.
Shumë shkruajtën për ty e u interesuan që të merrnin nga unë përshtypjet e para që natyrshëm nuk munda ti jap. Nuk do të të gënjej. Nuk munda tu përgjigjem të gjithë komenteve, por si gjithmonë, me më shumë vepra se sa fjalë dhe me shumë përulësi, mirënjohës të gjithëve.

Unë uroj shumë gjëra, të mundura e të pamundura, por mbi gjithçka (kemi kohë për ti dëgjuar e vepruar sipas këngëve), uroj që “filmi yt” të jetë me metrazh të gjatë, shumë të gjatë e ti ngjasojë atyre filmave bazuar në histori të vërtetë që frymëzojnë masën e që sado herë ta shikosh at’ film, ti dëshiron ti rikthehesh për ta parë me të njëjtën kënaqësi dhe/ose ndjenjë për të mësuar diçka të re.

Kjo është veç një letër e shpejtë e shkruar më 27 maj 2021 rreth orës 16:00 me ato që si zakonisht më vijnë në mend dhe që dua ti ndaj me të gjithë.
Mamaja jote do thosh’: “Bir nona vet!”, por s’kam ndërmend ti kundërpërgjigjem këtë herë.

P.s.: XHAN!

/abcnews.al