QAFË THORE, EDHE NË MAJ RRUGA E THETHIT E BLLOKUAR

260

Prej një jave ky eskavator është rikthyer në Qafë Thore në tentativë për të hapur rrugën e bllokuar nga bora që të çon drejt fshatit turistik të Thethit. Trashësia e borës që në disa vende i kalon edhe 5 metër e bën të vështirë punën për hapjen e këtij aksi rrugor.

Drejtuesi i punimeve për hapjen e kësaj rruge Ahmet Hoxha dhe manovratori Gjon Lakaj tregojnë se do të duhet afro një muaj për të shkuar deri në qendër të fshatit Theth.

Me dhjetra turistë të huaj dhe vendas janë kthyer mbrapsht për shkak të bllokimit nga bora në Qafë Thore.

Ndërkohë mjetet e tjera që kanë hapur rrugën nga Boga në Qafë Thore e kanë dëmtuar në shumë pjesë të saj ndërsa një rrezik është edhe udhëtimi për shkak se në pjesën më të madhe janë dëmtuar edhe anësoret mbrojtëse ndërsa shumë gurë ndodhen në një pjesë të aksit.

Banorët e Thethit prej kohësh kërkojnë hapjen e atij aksi por deri tani ka qenë e pamundur pavarësisht tentativave për ta hapur.