Nest Zefi dhe “Shpresa Politike ne Veprim”, nje liber qe duhet lexuar…

308

“Shpresa Politike ne Veprim” keshtu titullohet libri i sapo dale ne qarkullim nga Nest Zefi. Ky eshte nje liber qe duhet lexuar dhe me patjeter madje aq me teper ne situaten politike aktuale ku gjendet vendi jone.

- PUBLICITET -

Ne pershkrimin e tij Zefi tregon se jane permbledhur nje sere shkrimesh te tija te cilat janë trajtue nji pluralitet temash sensitive, komplekse e ndonjiherë të mbulueme me censurën apo autocensurën e tabusë,

që prekun politikën, identitetet kulturore e fetare dhe raportin e tyne me të tashmen dhe sfidat e të ardhmes.

Pershkrimi i plote i Nest Zefit per librin “Shpresa Politike ne Veprim”

Te dashtun miq,
Kam kenaqesine t’ju njoftoj per daljen ne qarkullim te librit t’em “Shpresa Politike ne Veprim”. Falenderoj secilin prej jush per simpatine me te cilin keni percjelle shkrimet e mia ne rrjetet sociale, miqsine reale e virtuale, stimujt vllaznor qe me keni dhane,

per te cilet kam marre nji konfirmim mbreselanes ne ket fushate elektorale. Kam bindjen e thelle qe vlerat morale me implikimet e tyne, nuk ratifikohen me forcen e numrave e nuk mund te jene objekt “transaksionesh” elektorale, aq ma teper ne realitetin problematik shqiptar,

e pikerisht ky liber duhet lexue si nji ndihme ne ket drejtim emancipimi kulturor. Falenderoj botuesin Frano Kulli per angazhimin kunder “kohes” me e fute me procedure te shpejt ne shtypshkronje librin, miqte e mire Anton Benussi e Paulin Paplekaj per fjalet e tyne vlersuese e inkurajuese.
Po hedhi nji pjese te hymjes per me shoqnue kopertinen e librit.

Po paraqes nji pjesë të thukët të disa meditimeve personale që kam shkrue kto ditë, tue u dhânë atyne dinjitetin e publikimit në nji libër, pjesë e të cilit do të jenë edhe disa shënime të tjera personale, të rikuperueme prej rrjeteve sociale, me të cilët miqtë e mijë të blogosferës kanë nji farë familiariteti.

Gjatë dekadës të fundit, kam pasë nji angazhim publicistikë konstant në rrjetet sociale, të larmishëm në tematika dhe të vlersuem prej kritikës për thellësinë skanuese e burimore të realitetit kulturor shqiptar.

Në kët libër janë trajtue nji pluralitet temash sensitive, komplekse e ndonjiherë të mbulueme me censurën apo autocensurën e tabusë, që prekun politikën, identitetet kulturore e fetare dhe raportin e tyne me të tashmen dhe sfidat e të ardhmes. Mnyra e rreshtimit të temave në fjalë, digresionet prej nji argumenti në tjetrin apo edhe ndonji përsëritje eventuale, mund të ushqejë përshtypjen se nuk kanë ndonji lidhje organike të strukturueme,

për faktin se janë shkrue me pak “shpejtësi” dhe stimulue prej rrethanash apo frymëzimesh imediate e kontingjente. Megjithatë, ato përshkohen prej fillit të kuq të nji sprove studimore, e cila tentaton në mnyrë modeste e kurajoze me destrukturue nji narrativë pushteti të hershme, që fillon prej pushtimit otoman e ndjekë metamorfozën mbijetojse dhe adaptuese të atij modeli pushteti deri në ditët tona.


Përtej dakortësisë apo kundërshtisë që do të hasin tezat e trajtueme në libër, e ndiej për detyrë të theksoj se “muza” frymëzuese, âsht kenë dashnia për të vërtetën, triumfin e saj, parrezia me dialogue me liri shpirtnore e pa inade e mbi të gjitha bindja e mbrendshme se nuk ndërtohet asgja konstruktive pa pjesëmarrjen e sinqertë e të gjithë shprehive përfaqësuese të realitetit shqiptar.

Historia ka tregue bollshëm në rastin shqiptar, tue perifrazue nji shprehje të Papës Gjon Pali II, se aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka paqe; po ashtu, drejtësia e vërtet dhe e qëndrueshme, nuk mund të arrihet pa nji proces faljet, pajtimi e përpunimi të eventeve të së shkuemes, në emën të së ardhmes.

Përsëritjet eventuale që ndeshen në disa shënime të librit, idea e insistimit deri në obsesion mbi disa argumenta, përdorimi i dendun i fjalës “otoman” si sinonim regresi i përmbrendësuem në kulturën shqiptare, duhen interpretue me njetin e mirë të nji ftese me u shkundë prej nji kllapie të gjatë kulturore e marrë mundimin me u raportue me eventet e historisë e jetës të tashme, me sens kritike e ndershmëni kërkimore.

Në klimën e lirisë relative që u përftue mbas ramjes të rregjimit të kalbun monist, ka mbretnue sovrane inercia me operue në fushën e shkencave sociale shqiptare apo debateve kulturore, me nji narrativë dy lekshe të pushtetit të vjetër, i kamufluem me disa sllogane bajate për me msheh dështimin e vet. Megjithëse sistemi monist u shemb në implikimet e veta politike dhe ekonomike, superstruktura e tij, që thjesht për konvencion, po e konsideroj ideologjike, tentoi me nji farë suksesi provizor me mbijetue.


Panteoni kulturor me temat e forta të rreshtimit proletar përbashkues, morën nji hov të ri mbas viteve ’90; shqiptaria, veçantia shqiptare, harmonia fetare, uniteti kombtar, rilindja e re, integrimi europian etj, u shndrruen në fenë e re të shqiptarisë.

Ksaj skeme inkonsistente, të ripërpunume në punishtën e institutit të Nexhmije Hoxhës dhe modelit të studiuesve të ngjashëm, jam mundue me i dhanë përgjigje në kto shënime të përmbledhuna në librin në fjalë, me njetin e mirë për me ofrue nji paradigmë dinamike lexuese, diganostikuese e interpretuese të ndodhive shqiptare nan dritën e të vërtetës efektive historike dhe politike.


Galaksia e të “penduemve” apo gjys të penduemvem, të pa deklaruem formalisht, të ish punishtes kulturore të rregjimit komunist, përtej faktit se sot janë risistemue në katedra universitare, në Akademinë e Shkencave, në politikë dhe median e shkrueme apo vizive, janë shumica e tyne të infektuem gati totalisht prej “injorancës të pamposhtun”, për të cilin flet teologjia katolike dhe e kanë objektivisht të pamundun t’i lexojnë ndodhitë historike me kriteret e të vërtetës.


Nji ngrehinë artificiale pushteti, që vazhdon të imponojë dogmën e vet me antologjitë e rrenës e mashtrimit kronikë, edhe pse krejtësisht e diskretitueme prej historisë e evidencës empirike të buonsensit, duhet refuzue me vendosmëni e forcën bindëse të argumentave racional. Dogma fundore e shqiptarisë, përtej gjenezës të vet problematike, vazhdon me shërbye ende si kamerdaria e pshtimit dhe streha e mjegullt e ngushëllimit dhe e mimetizimit për të ashtuquejtunit “bashkëvuejtës, bashkëfajtor” e bashkëpuntor shkencor të verbit e veprimit otoman e komunist.

Sall mbrenda perimetrit të rrethuem me tela “me xhemba” të paradigmës rrafshuese të shqiptarisë me shije kripto-otomane, âsht e lejueme, mundësia e kërkimit të vërtetës tonë historike e aktuale, tue përjetësue rrjedhimisht (anti) kulturën e mashtrimit.
Para pak kohësh, “emblema e shqiptarisë” Pashko Vaso pati homazhe të rinovueme e të zjarrta hagjografike,

edhe prej kreut të qeverisë në rubrikën e vet në rrjetet sociale; për hirë të vërtetës, shkrimi i tij nuk pruni ndonji risi në elozhe, përveçse i fryeni me stilin e tij letrar nji zjermi të ndezun me kohë e prej të cilit duhet pranue se kanë pshtue pa u djeg fort pak “neurone” të studiuesve dhe qytetarëve shqiptar. Narrativa toksike e Pashko Vasës, përtej dëshirës me e kuptue ex post, me kontekstualizime e interpretime dashamirëse,

âsht modeli ma i shëmtuem dhe akti ma i ligë i transformimit të renegatit në hero e përbashkues, madje pa u pendue aspak e formalisht për të shkuemën e tij. Në shkrimet e mia të shpeshta, kam shpjegue e motivue se duhet gjithmonë me pasë nji vështrim të kshtenë e me dashni ndaj kontekstit të zorshëm në të cilin mund të jetë gjendë për me mbijetue nji person e në këtë prizëm âsht e pandershme me pretendue heroizëm te tjetri,

por nga ana tjetër asht e tepërt e poshtërsi me i ngritë në rangun e heroit personazhe të tilla. Pashko Vasa nuk ishte vetëm nepunës i perandorisë osmane, por drejtues politik i randësishëm i saj në zonën e Libanit dhe intepretues i pamëshirshëm i ashpërsisë gjakatare otomane e renegat i rândomtë i identitetit të tij katolik e shqiptar. Krijmtaria e tij elegjiake e porositë mbas “pilafit”, të sintetizueme me shprehjen e pa undyr “feja e shqiptarit asht shqiptaria”,

janë thjeshtë disa sublimime projeksionesh mjeranë të nji njeriu të “ramë prej fikut” dhe që kërkon nji kamardare pshtimi, tipike e krizës identitare të renegatit.
Me kët narko-llafologji “magjike” vazhdojnë të turullosen shqiptarët me imunitet të dobët kulturor dhe implikimet e saj toksike, janë të pranishme në tana rrafshet e konfuzionit tonë, sa me bllokue dinamizmin e natyrshëm kulturor të nji shoqnie që kërkon me ditë të vërtetën e rrajëve, trungut dhe destinacionin e vet strategjikë.

- PUBLICITET -