Vlonjati Jursield Muçaj dhe turku Abdulgafur Balikci janë proceduar penalisht nga Policia e Vlorës, për një tjetër rast të krimit zgjedhor të regjistruar në qytetin bregdetar. 23 vjeçari turk i ka ofruar para për lista votuesish të riut vlonjat, në kohë të ndryshme.
Muçaj në kohë të ndryshme ka marrë shuma lekësh nga shtetasi turk Abdulgafur Balikci, për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote në zgjedhjet parlamentare 2021. Këto emra, shtetasi turk i donte për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ky rast u publikua në media në momentin kur presidenti i vendit Ilir Meta bëri thirrje se “Kush shet votën, shet nderin e familjes së tij dhe nuk e meriton të quhet njeri dhe kurrsesi shqiptar.”
Meta tha se të gjithë ju “të fortë”, që po përdoreni nga pushteti kriminal për presione dhe blerje votash, bëhuni gati se edhe pulat do t’ua sekuestrojmë!
Edhe pse gjithmonë në rastet e fundit për shitjen dhe blerjen e votës del në skenë LSI, Presidenti Ilir Meta, bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi bëjnë thirrje dhe sulmojnë partitë e tjera se po vjedhin zgjedhjet.
Në postimin e fundit të presidentit kanë shpërthyer me komente negative qytetarët.
“Po Shqipëria e shqiptarëve eshte por pasurite e shqipërisë jane te politikanve”, i shkruan një qytetar-Metës.