Humb burrin në një aksident tragjik, 24-vjeçarja: Kishte dalë me shoqërinë, në 6 të mëngjesit dëgjova…

446

Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, është bërë një vajzë 24 vjeç e quajtur Xhoana Sinanaj nga Kuçova. Ajo ka treguar se kur ishte në moshën 16 vjeç u detyrua të martohej me shkuesi me një djalë nga Durrësi i cili e tradhtonte shpesh me justifikimin që i merrte Lekë vajzave të tjera për të mbajtur familjen. Nga martesa e tyre erdhi në jetë një vajzë, e cila sot është 5 vjeç.

Por kur Xhoana ishte 5 muajshe shtatzënë, ndodhi një fatkeqësi. Bashkëshorti i saj, Vito ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti të madh automobilistik.

Pas vdekjes së tij, Xhoana jetoi me vajzën dhe për pak kohë tek shtëpia ku rrinte me familjen e tij, por iu desh të ikte pasi filluan thashethemet përreth. Fqinjët e akuzonin se kjo grua e ve vazhdonte të rrinte aty sepse duhet të kishte patjetër ndonjë lidhje dashurie me dikë, përndryshe duhet të kishte ikur. Xhoana u largua, shkoi tek gjyshja e më pas tek e ëma, por as tek njerku nuk qëndronte dot gjatë. Gjendja e saj ekonomike nuk ka qenë aspak e mirë. Ajo nuk ka Lekë ta çojë vajzën në kopsht dhe e mban vetë. Me vështirësi, para 3 vitesh arriti t’i jepte vajzës atësinë e të atit, pasi familjarët e tij nuk pranonin.

Mirela Milori: Çfarë ndodh kur ishe 5 muajsh shtatzënë?

Xhoana: Një tragjedi që nuk do e harroj kurrë. Në 21 Maj të 2016 doli me shoqërinë në darkë dhe në orën 6 të mëngjesit dëgjoj vetëm ambulancën dhe policinë, sikur më ka thënë Zoti çohu se ka ndodhur diçka në familjen tënde. U ngrita dhe po prisja zgjuar, po e prisja që të vinte, por na njoftoi një polic.

Mirela Milori: Kishte ndodhur një aksident tragjik?

Xhoana: Po, nuk tha që humbi jetën, por tha që ka vrarë pak këmbën, duhet të vini ta shikoni. U shkatërrua çdo gjë në ato momente.

Mirela Milori: Ti mëson që bashkëshorti humbi jetën, ti ishe shtatzënë 5 muajshe, traumë besoj.

Xhoana: Isha shumë keq, u ndjeva vetëm, u prish gjithë ajo ëndrra ose gjithë gjërat që kishim formuar bashkë. E mori vesh që ishte vajzë, diskutonim kujt do i thërriste në fillim, mami apo babi, si do ecë, kishim shumë ëndrra, por ai mëngjes prishi të gjitha.

Mirela Milori: Si vazhdoi jeta jote pas ikjes së tij nga kjo botë?

Xhoana: E kisha shumë të vështirë, babën jo, gjyshin që më rriti jo. Qëndrova e ve 6 muaj pas vdekjes, vajzën e kam lindur atje, pastaj ika nga familja e tyre. Ika sepse filluan njerëzit thashetheme, filluan fjalë që nuk duheshin, burri vdiq, po për kë rri ai këtu, ai nuk është më në këtë botë. Vajza ishte 1 muajshe kur ika nga ata.

Mirela Milori: Po vjehrra dhe kunata, të thanë ik?

Xhoana: Jo më thanë rri sa të duash, je e re e kuptojmë jetën tënde, por do e vazhdosh jetën dhe do e gjesh dikë tjetër.

Mirela Milori: Vendose të largoheshe nga shtëpia dhe ku shkove?

Xhoana: Tek gjyshja në Kuçovë. Gjyshja më mbante, më blinte pelenat, qumështin.

Vajza e saj nuk e merr pensionin që i takon si jetime, sepse Xhoana duhet të kalojë të dhënat e saj në Gjendjen civile në Tiranë ku dhe po jeton.

Kohët e fundit, ajo është vendosur për të jetuar në Tiranë, sepse është dashuruar me një djalë me të cilin kanë vendosur të bashkëjetojnë. Ajo bën thirrje për ndihmë dhe mbështetje ekonomike, nëse dikush do të dojë ta ndihmojë. /tvklan.al