Hueyda El Saied humb njeriun e shtrenjtë: Ndihem jetime sot

362

Showgirl e njohur Hueyda El Saied ka ndarë në rrjetet sociale një lajm të dhimbshëm. Gjyshja e saj është ndarë nga jeta dhe kjo është një humbje e madhe për Hueydën, e cila e ka treguar gjithmonë lidhjen e fortë që ka pasur me gjyshen, e cila e rriti.

Ajo ka shprehur pikëllimin e madh përmes një shkrimi të gjatë në Instagram dedikuar njeriut të saj të shtrenjtë, ku ka treguar mes të tjerash se sot ndihet jetime.

“Kisha shpresuar t’i shkruaja këto fjalë sa më vonë, shumë më vonë, por nuk paska qenë e thënë. Si mund të them unë ty lamtumirë e shtrenjta ime, o nona ime gojëmbël, shpirti im, zemra ime.

Ti ke qenë një gjyshe unike, më ke rritur, më edukuar, më ke mbrojtur, më ke këshilluar, më ke frymëzuar e ke qenë përkrah meje në çdo iniciativë që kam marr dhe kur ndoshta të gjithë ishin kundër.

Nëse u bëra artiste, ishte falë teje dhe shpirtit tënd të artistes. Gëzohesha kur ata që kishin pasur fatin të të shihnin në skenë të këndoje bënin elozhe për zërin tënd të bukur dhe interpretimin tënd.

Krenohesha me ty o nona ime, se përveçse ishe gjithnjë e dashur, pozitive dhe e zgjuar, ti nuk rreshte kurrë të më suprizoje, aq sa në moshën 70-vjeçare luajte në një film kinematografik përkrah aktorëve më të mëdhenj shqiptar.

Në çdo prezantim mediatik më kërkonin që ti të ishe gjithashtu prezente, sepse përveçse e dinin sa shumë të doja, ishe si qershia që zbukuron tortën.

Ndihem jetime sot, o nona! Kë do të thërras unë me përkëdheli Noku? Kush do të më tregojë historitë e çuditshme të familjes sonë origjinale? Kë do të thërrasë Gabrieli nona tani? Se për të mami im është Dana, e ai refuzon të thërrasë nona dikë tjetër.

Gabrieli teksa qan me mua, më thotë: Mos u mërzit mami se nonën do ta kemi gjithnjë në zemër.

Dhe ka të drejtë, aty ke qenë e do të jesh gjithnjë. Gabrieli pati fatin të të njihte, të kalonte e ndante shumë momente me ty, por ne të gjithëve do të na mungojë mirësia, aroma dhe buzëqeshja jote nona.

Dhimbja bëhet më e madhe nga pamundësia për të të dhënë një puthje të fundit. Prehu në paqe mbretëresha jonë.

Gabrieli, Thierry, Mami, Opa e unë, mbesa jote jetime,” –ka shkruar Hueyda.