Dash Shehi: Po ta kisha zbuluar më parë Facebook do isha bërë “yll”, po mua më pëlqen të vete fshat më fshat, se iu bëhet qejfi katunarëve

Përpara se të hidhte sytë tek Facebook, ai kishte hapësirën e tij në podiumin e Kuvendit këtu e dy vjet me parë.

Habitej se si fjala e tij bëhej virale kur shpërndahej nga gazetarë edhe “të majtë” siç preferon t’i cilësojë ai.

Vonë madje e kuptoi se më shumë klikime, kishin dhe benefitin financiar.

Formulën magjike të shumëkujt sot që merret me teknologjinë “Gjithçka, Gjithkund”, Dashamir Shehi ende nuk e pranon.

Atij i pëlqejnë takimet e vogla, të qajë hallin “fshatçe” kur del nga zonat jashtë Tiranës, i pëlqen kafja e lagjes, kontakti me njerëzit, komunikimi dypalësh…

Shpjegon se ndryshe nga ata që e kanë për punë, Shehit i duhet ky mjet komunikimi për fushatë.

“Mua më duhet që të shpërndaj imazhin tim në kohë zgjedhore. Dikur unë mbaja fjalimet në Kuvend. Sot më duhet për popullaritet në një farë mënyre. Investim politik është, publicitet, imazh…”.

Në kushtet e imponuara të pandemisë, dhe në mungesë të Kuvendit ku ai shpërfaqte qëndrimet e tij, Shehi i është përshtatur sprovës së re; Asaj të gjetjes me çdo mënyrë të mjeteve të reja të komunikimit.

“Unë do gjej gjithë mjetet e mundshme të komunikimit. Midis këtyre, meqenëse është modernizuar apo azhurnuar kjo gjë, unë do merrem edhe me këtë.

Ndonjë qejf të madh nuk kam, sepse unë jam tek klasikja, të flas në televizor, të flas për gazetat…. Kjo formë e re më bezdis, me lodh pak. Se dy tre herë në ditë i do kjo gjë.

Por me duhet se s’bo…”, thotë Shehi në një bashkëbisedim me Gazetasi.al i cili herë pas here e shkëput vëmendjen nga celulari i tij.

Tani i shkojnë më shumë mesazhe se më parë. Qëkur fjala e tij është bërë “virale” përmes komunikimit të tij në Facebook…

… Para se ai të ulej para kompjuterit, për të bërë “takimin” e parë “Live” nga Facebook, ai kërkoi ndihmën e bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij që ndodhen jashtë.

Siç shprehet edhe vetë ai, Dashamir Shehi mbetet pas, nga pjesa tjetër e familjes kur vjen fjala tek teknologjia.

“Sigurisht që ata (e bija dhe djali) janë brenda habitatit të vet, leqë kanë bërë shkolla për këtë punë. Kam edhe gruan deri sa t’ia marrim dorën…

Po fëmijët më kanë nxitur shumë. Edhe gruaja po. Të gjithë janë përpara meje në këtë fushë pra në teknologji dhe azhurnimin teknologjik…”, vëren ai.

Megjithatë, Dashamir Shehi duket se është azhurnuar mirë këto kohë. Të shpjegon se si përpara t’i “futej” Facebook-ut kishte rreth 200 ndjekës, tani i janë bërë me mijëra

Po a e gjen ndopak veten ai, tek kjo formë e re komunikimi?

“Ka disa gjera që unë e gjej sepse çfarë bëj unë, vë kameran dhe flas sikur të kisha një gazetar përballë.

Marr spunto nga dy tre pyetje që kanë bërë ndjekësit dhe mundohem t’i analizoj ato.

Kuptohet që kjo nuk është bisedë. Biseda ka dy palë. Kjo në një farë mënyrë është një formë komunikimi e njëanshme, jo i dyanshëm, nuk është interaktiv…”, vëren ai.

Pikërisht kjo formë e njëanshme e komunikimit e bezdis pakës atë.

“Se ai ndjekësi nuk flet në kohë reale me ty. Ai ka çuar një pyetje të cilit ti ndaç i përgjigjesh dhe ndaç jo. Përshembull kam folur për bujqësinë, por Bujqësia nuk mbaron ndonjëherë, por nja dy tre pyetjeve aty brenda i dhashë përgjigje. Ai që nuk ka marrë përgjigje mund të jetë edhe i pakënaqur dhe mund të thotë: ‘por s’na tha gjë ky për këtë pjesë’…”.

Shehi të thotë se si vetëm për Bujqësinë përshembull, bashkëshortja e tij i kishte vënë përballë një fletë të gjatë me 30 pyetje drejtuar atij nga ndjekësit në Facebook.

Ai mundi t’i japë përgjigje vetëm disa pyetjeve. Sepse e ka kuptuar se ndjekësit duan që të flasësh shkurt.

“Me gjithë ato pyetje ishte si të shkruaje librin e bujqësisë…. Aq, as PD nuk e ka të gjatë programin….”

Ajo që synon Dashamir Shehi është të përcjellë një ide të vetën. Sepse për programin e PD, ka kush.

“Unë do t’i flas gjysmë ore për një ide timen, ajo që them aty është ideja ime. Sepse ti duhet të projektosh një gjë të re, një gjë ndryshe…

Pra, përtej programit të PD-së duhet të bëjmë edhe disa gjëra të reja. Për mua kjo ka vlerë…”, nënvizon ai për Gazetasi.al.

Shehi të thotë gjithë dëshirë se si pas shpalosjes së ideve të tij për Bujqësinë e kishin marrë në telefon vetëm ndonja gjashtë agronomë që e “dinë mirë këtë fushë” duke e pyetur: “O Dash po si e ke mendu kët punë”

“Unë duhet të them disa gjëna të tjera, se programin e PD ka kush e thotë. Ndërsa mua, dua që ata të më dëgjojnë për një temë të caktuar, për një ide të caktuar”, këmbëngul Shehi i cili po atë ditë (e enjte) ishte i ftuar në “Opinion”.

“Sot s’kam kohë se jam i ftuar në mbrëmje, por do gjej kohë të flas në Facebook ose për Evropën ose për pushtetin lokal se gjithë mëngjesin kam nejt me ato që kanë ardh nga rrethet dhe që e kuptojnë se ligji për pushtetin lokal i paragjykon, një ligj që më pak fjalë nuk i ka shërby popullit…”.

Thotë disa herë se është i formës klasike të komunikimit dhe për pasojë ka një tjetër qasje të shpërfaqjes së ideve.

Por Dashamir Shehi e ka kuptuar mirë se rruga në vijim i ka do kthesa. Aq më tepër në këtë kohë pandemie dhe në kushtet që do të imponojë fushata.

“Unë rri me shpresë se pas kësaj do të mbetet diçka. Do të ketë një follow (vijim) sepse është një lloj investimi që gjynah ta humbësh por se si do të marrë rrugë, nuk di të them se tani për tani për të qenë i sinqertë e kam vetëm për këtë punë…

Po nuk erdha këtu (në zyrë), po nuk u ula këtu, por nuk dola vetë, por nuk thirra ata njerëz që kam…, se mua nuk më nxjerr njeri. Për tu marrë me politikë duhet se s’bo.

Unë nuk kam mjete të tjera komunikimi. Unë përfaqësoj një grup elektoral, kultural që mblidhet kur vijnë zgjedhjet dhe zgjidhet kur nuk ka zgjedhje sepse unë nuk kam as rrogë, as paga…” , vëren ai.

A lëndohet ai nga komentet e çdo forme në Facebook siç ndodh rëndom?

“…Ca të shajnë, ca të lëvdojnë. Kam zgjedhur të mos u përgjigjem asnjë prej tyre. Sepse ne kemi një formë komunikimi, duam që të hedhim idenë tona politike. Nuk dua unë që të hyj në konflikt, se vetëm Edi Rama ka 300 vetë që marrin rrogë të cilët kanë nga 15 account (llogari) me emra të ndryshëm që kanë vetëm një detyrë; që sa hap unë gojën, turren me të sha. Po pse, me ata do merrem unë, kështu ti bie tek loja e tyre…”.

Dashamir Shehi ka tjetër synim.

“…Ky është paneli im. Nëqoftëse do të vazhdojnë të më ndjekin dhe do rriten, atëherë ky do të jetë ‘televizioni’ im privat. Do ulem atje për natë dhe do më dëgjojnë…

Unë nuk i kam abandonu (braktisur) as ato format e vjetra ik këtu dhe ik atje se ndryshe nuk kam me vlerë. Atë e bëj dhe do ta bëj prapë… Por unë them që një kategori këtu në qytet dhe sidomos rinia mund të më ndjekin.

Por atij që është në fshat unë do t’i shkoj prapë se ndryshe ai as në Facebook nuk të sheh, as e çmon atë muhabet aty. Por kur i shkon, e çmon atë vajtje në fshat se thotë; ‘na erdhi Dashi në Petrelë’ përshembull. U bëhet qejfi’”.

Dashamir Shehi të thotë se nëse do ta kishte praktikuar më herët këtë formë komunikimi, (qyshse braktisën Kuvendin), ai do të kishte më shumë mbështetje.

”Po të isha marrë gjatë këtyre dy viteve që ikëm nga Kuvendi seriozisht me këtë formë komunikimi, do të isha në një stad shumë më të lartë, por fatkeqësisht nuk jam shumë i azhurnuar me teknikat e reja, nuk jam i dhënë… ”.

Megjithatë, për Dashamir Shehin njeriu që e njeh mirë administratën dhe shtetin, edhe Facebook nuk është ndonjë formë e madhe përshpejtimi sa kohë që nuk shpalos një mendim.

“Gjithmonë unë kam gjyku që përpara është ai që mendon, dhe këto mjete më pas shërbejnë për të transmetuar mendimin. Nëse ti nuk ke mendim përpara, je humbës kultural, ti pastaj rri gjithë ditën në Facebook dhe bëhesh qesharak.

Por, për hir të pandemisë, do s’do na detyroi që të komunikonim me njeri tjetrin qoftë për imazh qoftë si fjalë si tekst me u marrë politikisht me bë transmetime nga shtëpitë “Live”.

Kjo në një farë mënyre, e ka zgjeruar kapacitetin komunikues të shoqërisë sonë, në mënyrë të detyrueshme por e ka zgjeruar.

Nëse para një viti e ca para pandemisë kane qenë 10% që merreshin me këtë punë, besoj që sot janë 20%. Nuk e di nuk kam shifra të sakta. Por mendoj që është dyfishuar. Pra është dyfishuar kapaciteti për të komunikuar…” .

Dhe si nëpunës i vjetër që është, Dashamir Shehi ta shpjegon me mënyrën e tij këtë dyfishim komunikimi. “Tubi i ujit nuk është më një polsh, por është bërë dy polsh pra bjen ujë më shumë, kjo ka rëndësi”.

Është i përgatitur gjithashtu se komunikimi në Facebook do vijojë.

“Cfarë është fushata, është një mundësi komunikimi, plus që ka ndodhur edhe fenomeni i kundërt që për hir të pandemisë bëhet edhe më e vështirë për të komunikuar me njerëzit, kështu që ky komponent do të vijë duke u zgjeruar.

Kur të fillojnë shtrëngimet ligjore që janë 30 ditë përpara zgjedhjeve, kjo do të marrë akoma me tepër rëndësi sepse shtrëngimet janë për televizionet.

Ndërsa për Facebook Twitter, Instagram nuk besoj që do t’i vënë kufizime kështu që do të vazhdojë të fitojë terren edhe për këtë specifikë”, vëren ai.

Por kjo formë e komunikimit ka dy anët e medaljes. Të paktën në Shqipëri.

Dashamir Shehi nënvizon se problemi ynë i fushatave nuk ka qenë teknika apo kapacitetet, por përsjellja politike e partive, raporti i partive me njeri tjetrin, raporti i shtetit me partitë dhe sidomos me ato opozitare.

“Përshembull nëse në Shqipëri është bërë sherr, janë vjedh vota, nuk janë vjedh se nuk kishte Facebook apo nuk ka pasur mjete komunikimi se me thënë të drejtën këtu në Shqipëri kanë hapësirë mediatike shumë të madhe në raport me popullsinë.

Nuk ka qenë ky halli. Ka qenë i natyrës politike se si përsillet ai i shumicës me atë që është poshtë, ditën që ka me vete Policinë, një pjesë të drejtësisë, administratën lokale, që ka mjete të dhunimit të kundërshtarit.

Ky është halli jonë dhe nga kjo pikëpamje shoh që ky vit ka filluar pak i keq…”, të thotë Shehi, i cili vetëm pak minuta më pas ka lënë një takim me një grup burrash në zyrën e tij, aty ku prej vitesh nuk ka ndryshuar asgjë.

Madje as vendi i kompjuterit, diku në një qoshe të zyrës, që sigurisht nuk e ka për faqen e tij në Facebook. Mënyrën e re të komunikimit (me video) ai përgatitet ta përcjellë vetëm në shtëpi me ndihmën e bashkëshortes së tij, “deri sa t’ia marrë vetë dorën”. Deri atëherë, faqja e tij vetëm rritet me ndjekës. Vetëm në dy muaj, Dashamir Sheh ka një faqe me 17 mijë ndjekës…/Nga Nevila Perndoj

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...