Basha shtyn në momentin e fundit listën e kandidatëve, presione të forta për largimin e Berishës, rrezikon të shpallet “non grata”

582

Partia Demokratike duket se ka shtyrë për në momentin e fundit publikimin e kandidatëve për deputetë. 8 marsi është dita kur duhet të dorëzohen emrat në KQZ dhe kryedemokrati Basha është treguar hermetik deri tani. Teksa nga PS kanë dalë shumë figura të reja dhe po ashtu emra si Vasilika Hysi apo Besnik Baraj janë larguar, nuk po ndodh kështu me PD. Gazeta ka mësuar se një prej arsyeve që Basha po mban hermetike listën e kandidatëve është ish-kryeministri Berisha.

Muajt e fundit është vënë shumë në pikëpyetje kandidimi i tij, ndërkohë që shumë demokratë i kanë dërguar sinjale se ka ardhur koha që të largohet nga politika aktive. Si duket, ish-kryeministri nuk ka ndërmend ta largohet nga salla e Parlamentit dhe e ka vënë Bashën në një situatë shumë të sikletshme përballë ndërkombëtarëve. Kreu demokrat tashmë është mes dy zjarreve, pasi do të zgjedhë të ketë mbështetjen e SHBA-BE nëse vjen në pushtet, apo të mbajë Berishën në parti dhe nuk i lihet nëse përfundon kryeministër. Në Shqipëri dihet se janë ndërkombëtarët ata që e vendosin se kush ikën e kush vjen dhe për ta, Berisha e ka mbyllur ciklin. Ky është një kusht thelbësor për të ardhmen e Bashës.

Mirëpo lideri demokrat duket se është në një situatë të vështirë pasi vetë Berisha nuk do të largohet. Nëse emri i tij mbetet jashtë listave atëherë mund të ketë çarje brenda PD. E vetmja mënyrë që të mos ketë çarje është që Berisha të largohet vetë. Nga ana tjetër mësohet se presioni amerikan është shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Sipas zërave, SHBA më tepër, por edhe BE, po investohen që të ketë figura të reja në politikë, ndërsa garda e vjetër duhet të largohet. LSI ka marrë disa goditje të forta duke qenë se pas saj është Meta, por mësohet se lëvizje do të ketë dhe për Berishën.

Gazeta ka mësuar se nëse ish-kryeministri do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, mund të ketë një lëvizje nga përtej Uashingtonit. Vitet e fundit është folur se ka pasur revokim vize për Berishën, por asnjëherë ambasada nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar. Në të gjitha kontaktet ambasada ka deklaruar se nuk i bën publike emrat e personave që aplikojnë për vizë. Ishte vetë kryeministri Rama që ia tha në Parlament Berishës se ai nuk udhëton dot në SHBA.

Por sipas informacioneve, nuk përjashtohet mundësia që të vihet në lëvizje DASH. Një burim i tha gazetës se emri i ish-kryeministrit ka shkuar në DASH nga struktura dhe individë të caktuara në Tiranë dhe nuk është çudi që të ketë një surprizë nga departamenti. Sipas burimeve, disa politikanë në Tiranë po presin që ai të shpallet non grata, por mbetet të shihet nëse do merren për bazë kërkesat, dosjet apo dokumentet e dërguara. Nëse bëjmë një panoramë të lëvizjeve të amerikanëve dhe të Berishës, rezulton se ky i fundit nuk i ka aspak mirë marrëdhëniet me SHBA.

Madje mund të thuhet e Berisha është mes njerëzve më kritikë të reformës në drejtësi. Edhe pse ambasadorja amerikane disa herë ka kërkuar që të mos sulmohet reforma, ish-kryeministri ka vijuar me të tijën. Madje ai sulmoi publikisht shefen e ONM, duke sjellë një reagim të vetë Brukselit. Pra përplasjet e Berishës me të huajt janë të shumta dhe ai shihet si rrezik për reformat. Sipas burimeve, Basha po mban deri në minutat e fundit listën sepse mund të ketë zhvillime dhe po pret qëndrimin e ish-kryeministrit. Nga ana tjetër, nëse ai është mes kandidatëve, në korridoret e politikës flitet se brenda 2 javësh do ketë lëvizje nga përtej Atlantikut kundër Berishës.