Një histori dashurie e jashtëzakonshme, pasi mposhtën Covid-19, çifti feston në studio 73-vjetorin e martesës

168

Programi “Dua të të bëj të lumtur” solli në ekranet tona mbrëmjen e sotme një histori dashurie të rrallë, të jashtëzakonshme dhe tepër të veçantë për kohën.

PUBLICITET

 

Në studio, Kola ndau me publikun e gjerë historinë e tij dhe të Mrikës, gruas që i kishte dedikuar një jetë të tërë, të pandarë që nga fëmijëria kur edhe ishin njohur.

 

Kur Kola kishte qenë 4 vjeç kishte takuar për herë të parë në shtëpinë e kushërinjve të tij Mrikën. Me kalimin e viteve ata ishin njohur më shumë dhe kishin rënë në dashuri, një dashuri të cilën e kishin vënë re edhe prindërit e tyre.

 

Familjet e tyre kishin rënë dakord që Kola dhe Mrika të martoheshin, por kishte një problem. Ligji nuk i lejonte që të lidhnin kurorë, sepse Kola ishte 4 vite më i vogël se Mrika dhe ai nuk e kishte mbushur moshën madhore për të bërë një martesë.

 

Pas shumë vështirësive, Mrika dhe Kola arritën të krijonin familjen e tyre dhe të sillnin në jetë 8 fëmijë.

 

Tashmë Kola është 90 vjeç dhe ka zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falënderuar Mrikën për mbështetjen, dashurinë dhe familjen që i ka dhënë, por dhe për të festuar 73-vjetorin e martesës së tyre.

 

“Kjo grua që shikoni ju, gjatë gjithë jetës sime është kujdesur për mua dhe kur na ra ky virusi ishte aty duke u kujdesur, pavarësisht se ishte e sëmurë. Pasqyra e një burri është gruaja dhe lumturia e fëmijëve janë dy prindërit. Të falënderoj për familjen që kemi krijuar dhe për përkujdesjen që u ke dhënë fëmijëve”, u shpreh Kola.

 

Nga ana tjetër Mrika rrëfeu se Kola kishte qenë një mbështetje e madhe në rritjen e fëmijëve dhe se e ka dashur gjithmonë përgjatë gjithë këtyre viteve.

 

Ajo tregoi se diferenca e moshës nuk kishte qenë asnjëherë një pengesë për dashurinë e tyre. Programi kishte rezervuar disa surpriza për çiftin, ku një ndër to ishte një video-mesazh nga fëmijët, nipërit dhe mbesat.

PUBLICITET