HARROHET DITËLINDJA E 102-TË E VLLAZNISË!

147

Vllaznia bën 102 vjeç! Shkodra hesht ! Të zotët e saj heshtin ! Asnjë organizim, asnjë përkujtim, asgjë për t’i dhuruar kësaj skuadre të madhe të futbollit shqiptar, urimin tradicional:

Gëzuar ditëlindjen ! Para 102 vitesh Shkodra ishte qyteti që jetësoi lojën mahnitëse të futbollit. E sot pas 102 viteve, puna e madhe e 75 personave që krijuan Vllazninë që e trashëgojmë edhe sot nuk vlerësohet.

Do të kishte mjaftuar një aktivitet sado modest që veteranëve që sot janë ende gjallë dhe për vite me radhë na dhuruan emocione pafund të nderoheshin duke i thënë të paktën një faleminderit por edhe atyre brezave të mëpasëm që sollë suksese.

Falenderim ky që në fakt duhet thënë gjithmonë e sa më shumë që të na jepet mundësia, e aq më tepër në ditë si kjo ku Vllaznia ka ditëlindjen e 102-të saj.

Ndryshe nga vitet e fundit këtë sezon skuadra kuqeblu ka bërë një paraqitje të mirë dhe madje është në vend të parë që kur ka nisur ky kampionat. Kjo është një arsye shumë e fortë që këtë përvjetor 102-të nuk duhej ta harronin.

Përkundrazi ndoshta do të shërbente si një shtysë e fortë për t’i dhënë ekipit më shumë kurajo që të bëjë të pamundurën për të ruajtur dinjitetin e shumë brezave që nga 1919-ta të cilët bënë që Vllaznia të jetë një prej ekipeve më të famshme në vend dhe të vijojë luftën për titullin kampion.

Vllaznia është në një ditë të mirë e padyshim kjo e sotmja, pa një festë sado të vogël aq sa mund të lejohet si shkak i masave anti COVID, e pa një falenderim është një ditëlindje e hidhur e saj! Janë mjaftuar me një foto në faqen zyrtare të klubit Vllaznia por që nuk justifikon aspak atë që ky klub meriton në ditëlindjen e saj.

Kjo histori përsëritet prej vitesh teksa përvjetori i 16 shkurtit lihet në heshtje totale. Harresa me apo pa dashje nuk i shërben askujt, përkundrazi mund të ishte një frymëzim më shumë për skuadrën. Dinjiteti i shumë brezave që nga 1919-ta të cilët i dhanë famë Vllaznisë nuk mund të shkojë dëm me një moskujtesë në ditëlindjen e 102-të.

Dy vite më parë në 100 vjetorin e themelimit të shoqërisë Vllaznia Presidenti Ilir Meta dekoroi me “Nderi i Kombit” klubin shkodran nga i cili nisën jo vetëm futbolli por të gjitha sportet në Shqipëri. Urime të ndryshme Vllaznia ka marrë nga tifozët e saj në rrjete sociale dhe ka mbetur me kaq. Urimin e munguar “Star Plus” e përcjellë shumë thjeshtë: Gëzuar ditëlindjen Vllazni!

/star plus tv/