Do të ndryshojë ora policore? Skendër Brataj shpjegon skenarin e ri

113

Ora e kufizimit të lëvizjes mund të ndryshojë: Jo më në orën 22:00, por në orën 18:00 ose 20:00. Këtë thotë Kreu i Urgjencës, Skendër Brataj, duke komentuar situatën me rritje të ndjeshme të numrit të të infektuarve me Covid në vend.

Gjatë intervistës për Repor Tv, ai tha se situata me të infektuarit dihej pasi kaluam festat, ndërsa theksoi se shpresohet të mos vijohet me këto ritme, pasi shtimi i rasteve çon në probleme edhe të sistemit shëndetësor që aktualisht, sipasi tij, i ka kapacitetet dhe janë ngritur skenarë edhe për më shumë pacientë të shtruar në spitalet Covid.

‘Kjo mbetet për t’u parë, në varësi të gjendjes së sistemit shëndetësor. Nëse rastet shtohen shumë dhe spitalet mbushen dhe rrezikohen resurset, patjetër që do të ketë shtrëngim masash.

Pra lehtësimi, shtrëngimi apo mbatja konstant e masave anti-covid varet nga vetë njerëzit. Nëse respektojnë masat atëherë shifrat nuk do të rriten dhe nuk do të ketë shtrëngime. Një rritje e tillë, duhet mbyllja patjetër, jo se them unë. Nuk mund të dalim kundër rregullave të natyrës.

Lockdown është dhe orë policore. Mund të ulet ora. Mund të mbyllemi ne 18:00 ose 20:00, nëse rriten rastet. Mund të ndërhyhet. Këto janë zgjidhjet, ulja e orarit mbyllja e aktiviteteve dhe të ngelen ato esencialet, të domosdoshme’.

Kreu i Urgjencës shprehu shqetësimin se ka raste në rritje të të rinjve të prekur, pasi këta të fundit nuk respektojnë masat dhe: Ndihen të pathyeshëm!

‘25-35 vjeç ka të sëmurë më shumë se ç’ka pasur në të gjitha periudhat. Sepse ndihen të pathyeshëm. Ky virus nuk lë shenjë dhe nuk duket dhe detyrimisht një gjë që nuk e shikon nuk e beson.

Ka pasur rëndë, por jo shumë. Mjekësia nuk është asnjëherë një shkencë e saktë. Edhe në ato mosha do të ketë forma të rënda. Sa më shumë përhapet infeksioni aq më shumë do kemi dhe mosha të reja’.