Hamdi Bushati (1896-1983), që rrjedh nga një ndër familjet e nderueme dhe ma të njohtuna shkodrane, ka ba me shumë perkushtim,
kambengulje dhe me ndershmenì shkencore e punë të palodhun, tue konzultue mijëra dokumenta dhe libra si dhe tue mbledhë të dhëna direkt nga goja e popullit, librin dyvolumsh me vlerë të madhe historike “SHKODRA DHE MOTET” – “TRADITE, NGJARJE, NJEREZ” – të botuem (mbas vdekjes se Tij) në Shkoder në vitin 1999, me rreth 1200 faqe dhe me nji aneks 120 faqesh me titull “Pamje gjenealigjike familjesh shkodrane”.
I biri i tij, mësuesi i njohtun z. Nexhmi Hamdi Bushati në “Dy fjalë për botuesin” ndër të tjera shkruen: “Për botimin e kësaj vepre kanë treguar interesim të veçantë punonjësit e Muzeut Historik të Shkodrës dhe ata të Fototekes “Marubi” me në krye drejtorin, Z. Mentor Quku, që angazhoi dhe të ndjerin Vehbi Troshani per daktilografimin me cilesi të lartë të ketij doreshkrimi.
Po kështu meritojnë mirënjohje Z. Ali Kazazi e Visar Bala që arritën të sensibilizojnë dashamirësit e nismave kulturore, duke mundësuar sponsorizimin e botimit të kësaj vepre. Me këtë rast e ndjej per detyrë të falenderoj Z. Prof. Dr. Zija Shkodra, Faik Luli, Islam Dizdari, Menduh Derguti, që me pergatitjen e tyre profesionale dhe me sugjerimet e tyre të kualifikuara ndihmuan që ky punim të dilte sa më serioz.”
Në kapitullin e VI “Familjet shkodrane me prejardhje të huej” ( faqe 283-312 ) të volumit të dytë, studjuesi i njohtun shkodran Hamdi Bushati shkruen si ma poshtë vijon:
“Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristjane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristjant ua dhanë myslimanve. Nga kjo kuptohet mirë se ata mysliman, të cilëve iu dorëzuan shtëpitë e kristjanëve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam,
ndër ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimansh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodrës. Krahas myslimanëve erdhën edhe kristjanë.
Nga pikpamja etnografike dhe historike duhet ditur prejardhja e familjeve të shqiptarizuara si myslimanë ashtu kristjanë. Me gjithë gjurmimet tona mbi këto familje që ekzistojnë sot në Shkodër, duhet të kenë mbetur pa u përmendur edhe të tjera, por shpresojmë t’i zbulojmë me vonë. Njëkohësisht kjo është një çështje politiko-komplekse, që meriton për t’u studiuar. Krahas interesit historik, ky proces paraqet edhe vlerë shoqërore,
sepse evidenton psikologjinë e shkodranit, bujarinë e tolerancën e tij ndaj “jabanxhinjve”. Duhet ditur se në Shkodër ka edhe familje të shuara, sidomos në periudhën e sëmundjeve epidemike, sikurse murtaja, kolera, etj., të shekujve 18, 19. Me rast edhe këto familje do të mundohemi t’i zbulojmë deri ku mundemi. Për prejardhjen e familjeve që jemi duke i përshkruar nuk kemi dokumente konkrete, përveç të dhënave tradicionale të vetë pjesëtarëve të atyre familjeve, të cilët kanë dëgjuar nga pleqtë e tyre.”
Të ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani:
Familjet e ardhura nga këto vënde përbëjnë numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër. Në këtë studim nuk përmenden të gjitha familjet e ardhuna nga këto vende, por vetëm ato familje, që janë ma të njohtunat si:
familja Raxhimi (imam nga Egjypti),
familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit),
familja Berdicaj (të ardhun nga Anadolli qyshë në fillim të invazionit osman dhe të vendosun në fshatin Berdicë),
familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit në Anadoll, e vendosun në lagjen Dergut),
Çukejt (artilier nga Turqia),
Çakejt (personalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele),
Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit të dinastise islame),
Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku),
Dilaverit (ushtarak nga Turkia),
Bilanet (pregatites ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit),
Kalajajt (oficer jeniçersh të ardhun që në kohët e para të invazionit osman),
Abdurrahmanet (oficer turk nga Egjipti),
Rust (nëpunës),
familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjinë arabe),
familja e Nelit të Molla Dautit (origjinë egjiptjane),
familja Dizdart (dizdar në kalà i ardhun nga Izniku i Bruzës së Anadollit),
fisi i Sheh Qazim Hoxhes (ushtarak nga qyteti i Kastamonit të Anadollit),
familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azise së Vogel),
familja Boksejt (ushtarak nga Anadolli),
familja Muhamet Shehu (hoxhë nga viset e Azisë së Vogel),
familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugal),
familja Hysejt (oficer nga Izmiri i Anadollit),
familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirisë),
familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani),
familja Behrej (ushtarakë që nga fillimi i pushtimit osman),
familja Allajbegve (kolonel me origjinë turke),
familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar),
familja Sala-Isuft (grek i bamë musliman).
Zezakët e shqiptarizuar (të mbiquejtunit “Harapet “) në Shkoder, që formojnë nji numër të vogël, janë përgjithësisht me origjinë nga Sudani egjiptian. Janë të sjell si skllevër nga tregtarët, sidomos nga detarët ulqinakë. Këto janë blerë nder tregjet e Algjerisë, të Tunizisë, të Sirisë etj.. Këto përmenden veçanërisht pranë vezirve Bushatllij. Familjet katolike dhe orthodhokse nuk kanë mbajtur kurrë harapë ose harapesha. Këto kanë shërbyer vetëm ndër familjet borgjeze e aristokrate myslimane, të cilat i kanë trajtuar si bashkëfamiljar të shtëpisë ku kanë jetuar.
Familjet të ardhura nga Armenia, Greqia, Austria, Italia:
Nga Armenia: të debuar prej turqve nga Mustafa Qemal Ataturkut, si:
familja Johanexhan (punonjës zorresh bagtishe),
familja Hagopi (teknik dhe perpunues mendafshi),
familja Muzali (mjek). (nga Greqia):
familja Kacarosi (nëpunës depoje duhani),
familja Ronkali (rrobaqepës),
familja Idromeno (arkitekt e piktor).
Te ardhun nga Austria, Vjena: familja Ingriz këpucar dhe nji nga sindikalistat e parë në Shkoder
Nga Italia:
familja Scanietti (artist),
familja Zamputti (mjek),
familja Tedeschini (mjek qe nga 1760),
familja Benussi (farmacist).
Edhe rreth këtyre familjeve jepen të dhena të vlefshme historike. Numri i tyre nuk është i ndjeshem.
Podgoriçajt të ardhur nga Mali i Zi: Emigrantet Podgoriçan u dynden drejt Shkodres në 4 periudha:
1) Gjate sundimit të Bushatlinjve,
2) Mbas Kongresit të Berlinit,
3) Gjate Luftes së I Botrore,
4) Gjate Luftes së II Botrore”.
Podgoriçajt janë sllavë musliman nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi e në pergjithësi nga Mali i Zi. Familjet podgoriçane ma të hershme, sidomos ato të dyndjes së parë, e ndjejnë veten shqiptarë dhe mjaft prej tyre kan bërë shqiptarizimin e emrave, duke hjekur mbrapashtesen sllave “iq“.
Familja më e hershme dhe me e permendura në këtë studim asht familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica,
familja Bajri, e cila dikur quhej Muxhiq,
familja Mandia (=Mandiq),
familja Osmani (=Osmanagiq),
familja Haveri (=Haveriq),
familja Uruçi (=Uruçeviq),
familja Bebeziq,
familja Sykaj (=Sykniq),
Juka (=Jukniq),
Llukaqi (=Llukaqeviq),
Halluni (=Hallunoviq),
familja Striniq.
Familja Boshnjaku nga Bosnja etj.
Të ardhur nga tokat shqiptare, Ulqini, Tuzi, Kraja: Ka pasë emigracion shqiptarsh në Shkodër edhe nga tokat shqiptare në Mal të Zi si Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet të them se emigracioni i podgoriçajve, i ulqinakve, etj, i ka dhënë shkas ndryshimit të disa zakoneve tradicionale shkodranë.”
Në fund të pjesës së dytë jepen kumtesat vlersuese të kësaj vepre nga:
Prof. Dr. Jup Kastrati, Prof. Dr. Gazmend Shpuza të cilen e quen “Enciklopedi Albanologjike per Shkodren dhe shkodranët”, As. Prof. Dr. Artan Haxhi, As. Prof. Dr. Simon Pepa, Islam Dizdari, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodres As. Prof. Dr. Mahir Hoti, Mentor Kopliku, shkrimtari i njohtun Fadil Kraja, Nikolla Spathari, Ahmet Osja, Artes Llazani si dhe Nexhmi Hamdi Bushati. Ka pasë nji jehonë jo të vogël në shtypin shqiptare: ”Gazeta Shqiptare” me 11.10.1998, “Rilindja Demokratike” 20.10.1998, “Rimbkambja” me 20.10.1998, “Drita Islame” tetor 1998, “Albania” me 21.10.1998, “Drita e Dijes” me shtator dhe tetor 1998, “Perla” ne nr. 4, 1998, “Klan” në nr. 84, 1998.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. /Diaspora Shqiptare