Rreth 6000 ha sipërfaqe të përmbytura në Shkodër

104

Reshjet e shiut vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjithë territorin e qarkut të Shkodrës.

- PUBLICITET -

Prefektura e këtij qarku thotë se po monitoron dhe vlerëson situatën në bazë të dinamikave të njëpasnjëshme të paraqitura varësisht situatës atmosferike.

Aktualisht hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë pa ndërprerje. Prurjet nga lumi Kir e Gjadër janë të vazhdueshme ku si pasojë kemi sipërfaqe të përmbytura rreth 6000 ha. Nga këto, në Bashkinë Vau Dejës 3500 Ha dhe Bashkia Shkodër 1600 Ha.

Strukturat e ushtrisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë për të reaguar dhe mbështetur komunitetin e bashkive në zonat e riskut, në rast nevoje. Aktualisht është dislokuar një mjet ushtrie i cili po mbështet Njësinë Administrative Ana Malit për transportin e banorëve ne fshatin Obot i cili është i izoluar nga uji. Krahas kësaj sot i është shtuar në ndihmë të transportit të banorëve dhe një mjet lundrues.

Strukturat e Shëndetësisë në kuadrin e masave antiCovid, kanë në gatishmëri rreth 200 shtretër dhe janë në gatishmëri me personelin mjek infermierë për të mbështetur komunitetin në zonat e riskut dhe për të ofruar asistencë shëndetësore.

Prefektja e Qarkut gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Kesh, Benet Beci në ambientet e H/C Vau Dejës, ku u njoh nga afër me situatën hidrike, prurjet shkarkimet dhe situatën e pritshme. Në rolin e Kryetares së Komisionit të Mbrojtjes Civile, Angoni organizoi dhe takimin e Komisionit të Mbrojtjes Civile për të analizuar situatën e krijuar dhe për të deleguar detyra për situatën e pritshme.

Prefektura thotë se vijon të ndiqet dhe monitorohet situata, duke koordinuar dhe bashkëpunuar me të gjitha strukturat e emergjencave në të gjithë territorin e Qarkut, të cilat raportojnë periodikisht problematikat.

- PUBLICITET -