Arti në zi, koronavirusi i merr jetën kantautorit të njohur Kujtim Prodani

134

Koronavirusi i merr jetën një tjetër artisti të njohur në Shqipëri. Kantautori Kujtim Prodani ka ndërruar sot jetë në moshën 57-vjeçare pas një beteje me Covid-19.

- PUBLICITET -

Lajmi i hidhur është konfirmuar nga të afërm të të ndjerit. Gjendja shëndetësore e artistit ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ku i duhej të mbante një maskë oksigjeni.

Më 30 dhjetor kantautori do të publikonte një foto me maskë oksigjeni nga Spitali “Shefqet Ndroqi”, ndërsa e quante virusin një flamë të keqe.

“Sa miq e sa të afërm na more; o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Ndroqi”, shkruhej në postimin e tij në rrjetet sociale.

Prodani ka qenë një kantautor i njohur për publikun shqiptar, ku gjatë mbi 30 viteve karrierë është prezantuar me krijime tejet origjinale.

Ai ka marrë pjesë gjithashtu në festivale të ndryshme, ku ka spikatur sidomos për tekstet e tij. I ndjeri ishte i biri kompozitorit Agim Prodani, një prej themeluesve të muzikës së lehtë shqiptare, dhe këngëtares Anita Take.

Kujtojmë që më 29 prill të vitit të shkuar kantautori Kujtim Prodani i kushtoi këngë Covid-19, me titull “Ju flet Corona..!”.

- PUBLICITET -