”Yjet që u shuan në 2020-tën”/ Personalitetet që humbëm përgjatë një viti, nga mjekësia te media, arti e politika

114

2020-ta që lamë pas duket se ka shënjuar një prej viteve me humbjet më të mëdha njerëzore, të çdo fushe, nga mjekësia te arti, media e politika, humbje të cilat padyshim janë të pazëvendësueshme për familjarët e të ndjerëve, miqtë e ndjekësit e çdo sfere.

- PUBLICITET -

Covid 19 dhe jo vetëm, morën jetën e dhjetra personaliteteve në mjekësi, art dhe në kulturë, ndërsa postimet e lamtumirës në rrjet ditë pas diteve i linin vendin njëri tjetrit, aq sa dukej se secili prej nesh me vitin që lamë pas humbi dikë që e kishte pranë vetes, familjarin, mikun, dhe më shumë se çdo herë tjetër kërkoi shëndet për më të afërmit e tij.

Fax News dhe Faxweb u pëball me një humbje të madhe në dhjetorin që lamë pas, teksa presidenti dhe themeluesi i tyre Kasem Hysenbelliu ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare si pasojë e Covid 19. Edhe pse luftoi për jetën, ashtu siç gjithnjë bënte për çdo sfidë që e fitoi në jetën e tij, themeluesi i medias së lirë humbi betejën atëherë kur askush nuk e priste, duke lënë në zi familjen e tij të ngushtë dhe familjen e madhe të Fax.

Padyshim që misioni i medias që ai ngriti vazhdon, dhe premton të jetë edhe më i fuqishëm në këtë vit që kemi hyrë, ku më shumë se çdo herë tjetër, qytetarët kanë nevojë një dritare ku të dëgjohen, në mënyrë që shqetësimet të mos bjen në veshin e shurdhët të politikës, që premton për të vjelë votat, e kujtohet në çdo prag fushate.

Humbje të mëdhaja ka pasur vendi dhe sa i takon heronjve të heshtur në radhët e bluzave të bardha, teksa Covid u ka marrë jetën 30-tëve prej tyre, që u shërbyen për vite me radhë pacientëve në vijën e parë.

Mes mjekëve që kanë humbur jetën ka qenë radiologu dhe njëherësh kryetari e shoqatës Anestezi/Terapi intensive, Mihal Kerci, i cili nuk e fitoi dot betejën e tij me Covid-19; mjeku i njohur neurolog, Drini Dobi, i cili pavarësisht se u dërgua për trajtim në Itali, nuk mundi ta fitojë betejën me Covid-19 duke u ndarë nga jeta në moshë të re.

Bledi Nini, mjeku profesionist i shërbimit të ORL në QSUT, u shua në moshën 48-vjeçare duke lënë pas shumë dhimbje tek familjarët dhe kolegët e tij; Dr. Ilirjan Draçi, i cili me profesionalizëm e përkushtim i shërbeu komunitetit të banorëve të Tiranës për vite e vite me rradhë si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1, ishte një tjetër viktimë; Suela Muça, mjeke dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, humbi gjithashtu betejën me Covid-19.

Mjeku nga Kavaja, Sefer Dervishi, po ashtu nuk ka mundur ta fitojë dot betejën me virusin vekjeprurës;’ Radiologu Hyqmet Musa, ishtë një tjetër viktimë e virusit vdekjeprurës; Ferdinand Shkrepa, mjeku okulist nga Elbasani, ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare sipasojë e infektimit me Covid.

Mjeku nga Dibra, Ibrahim Kaziu, ishte një tjetët mjek që fatkeqësisht nuk ka mundur të fitojë betejën me Covid-19; Kirurgu i njohur ortoped nga Kukësi, Shaqir Shehu, ishte një tjetër viktimë; Mjeku i njohur gjirokastrit Frederik Kekezi, ish-mjek anatomopathollog pranë spitalit të Gjirokastrës humbi gjithashtu betejën me koronavirusin.

Leonard Kamberi, mjek gjinekolog, u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare, teksa priste që vetëm pak ditë më pas të bëhej baba për herë të parë. Ai ishte i shtruar për dy javë në Infektiv, por nuk mundi që të mposhte dot sëmundjen.

Mjeku dhe pedagogu i njohur Feçor Agaçi, ishte gjithashtu viktimë e Covid-19; Mjeku Myftar Zemani, i cili vazhdonte të ushtronte profesionin në Fier, edhe pse kishte dalë në pension, ndërroi gjithashtu jetë nga Covid-19; Dr. Hidajet Deda, mjek pediatër, luftoi gjithashtu për 40 ditë me virusin vdekjeprurës, për tu shuar në fund.

Mjeku Muharrem Xhepexhiu nga Lushnja, humbi gjithashtu betejën me Covid-19; Mjeku i njohur nga Kukësi, Astrit Haziri, fatkeqësisht ishte një tjetër viktimë; Flutura Hashorva pneumonologe në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ nuk e ka fituar gjithashtu betejën me virusin; Enver Maloku, infermier në urgjencën e kirurgjisë pranë QSUT, ishte gjithashtu viktimë e Covid-19.

Për të gjitha bluzat e bardha që kanë ndërruar jetën dhimbja ka qenë dyfishe, pasi me humbjen e tyre, humbasin të gjithë qytetarët që ata u kanë shërbyer dhe do tiu shërbenin për vite me radhë.

Fehmi Oshafi

Që në nisje të 2020-tës, në datën 15 janar, u nda nga jeta regjisori i njohur Fehmi Oshafi ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Oshafi, lindi në shtator të 1934-ës në Tiranë dhe i dedikoi gjithë jetën kinemasë. Në fillimet e tij, Fehmi Oshafi nisi të punojë si asistent-regjisor. Suksesi i parë i tij ishte spektakli “Estrada në Ekran”, që i hapi rrugën drejt botës së kinemasë. Pas emrit të regjisorit qëndrojnë filma, si: “Shoku ynë Tili”, “Kapedani”, “Zëvendësi i Grave” apo “Ëndërr për një karrige”.

Xhevdet Ferri

Xhevdet Ferri, një nga aktorët më të talentuar të kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, më 16 janar, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Në një postim të mëvonshëm, e bija e aktorit, Bora, u shpreh se ai kishte simptoma të ngjashme me Covid.

Mjeshtri i Madh i filmit ishte një nga ikonat e kinematografisë shqiptare në vitet ’80-’90 me dhjetra role protagoniste. Si disa nga filmat më të njohur përmendim “Gjurmë në kaltërsi”, “Hije që mbetën pas”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Përrallë nga e kaluara” etj. Ai nuk qëndroi larg kinemasë edhe në vitet 2000 me “Saimir” (2004), “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), “Gjallë” (2009) apo në “Kërkim të kujt” (2009).

Nexhmije Pagarusha

Më 7 shkurt, Nexhmije Pagarusha, legjenda e muzikës shqiptare, Bilbili i Kosovës, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë.

Nexhmije Pagarusha u lind më 7 maj të vitit 1933, në Pagarushë, një fshat në afërsi të Malishevës, Kosovë. Karrierën muzikore që përshkon 40 vite ajo e nisi në vitin 1948 në Radio Prishtina. Ajo interpretoi këngë si “Baresha,” “E dehun jam,” “Shota” etj. që konsiderohen kryevepra të muzikës shqiptare; interpretoi vepra të përkthyera në shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, në një koncert të parë të llojit të tij që për fat të keq nuk u regjistrua.

Pagarusha i dha fund karrierës në vitin 1984 pas një koncerti në Sarajevë. Në vitin 2000, pas 16 vitesh larg skenës, u kthye me këngën “Për ty,” në një emision të Ardit Gjebreas. Gjithashtu, në vitin 2005, ishte në jurinë e “Këngës Magjike.” Në vitin 2012, ajo mori titullin “Ndëri i Kombit” nga Presidenti Bujar Nishani. Ndërsa në vitin 2018, mori “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti Trump.

Gëzim Kruja

Më 5 prill, aktori i humorit, një nga ikonat e komedisë shkodrane, Gëzim Kruja u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Gëzim Kruja e nisi karrierën që në moshën 13-vjeçare, fillimisht si amator e më vonë u aktivizua me estradën profesioniste të Shkodrës. Studimet e larta i mbaroi në Institutin e Lartë Pedagogjik, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Shkodër. Në vitin 2004 u vlerësua me çmimin “Krenaria e Qytetit”, një vit më vonë mori titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Rikard Ljarja

Më 20 prill, Rikard Ljarja, një nga ikonat më të shquara të kinematografisë shqiptare ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Ljarja, i lindur në Shkodër, e nisi karrierën në kinematografi që pas përfundimit të gjimnazit duke ndjekur fillimisht studimet në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Pas studimeve, punoi si aktor në teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe më pas si aktor, regjisor dhe skenarist në disa nga filmat më të njohur të kohës. Disa nga filmat ku spikati me talentin e tij janë “Rrugë të bardha”, “Radiostacioni”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Shpërthimi”, “Ilegalët”, “Kur zbardhi një ditë” etj.

Maks Velo

Më 7 maj, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare piktori, arkitekti, shkrimtari dhe studiuesi Maks Velo. I specializuar në arkitekturë, në 1960-ën, Velo mori pjesë në projektin e parë që u bë në Tiranë. Gjatë viteve 1978-1979 ai u arrestua nga regjimi i asaj kohe dhe u dënua me 10 vite burg, vite të cilat e frymëzuan për një pjesë të mirë të krijmtarisë së tij të mëvonshme.

Maks Velo është gjithashtu autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele”, etj.

Përparim Tomçini

Më 5 qershor, kompozitori i njohur shqiptar, Përparim Tomçini, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare.

Përparim Tomçini lindi në Peshkopi dhe përfundoi Akademinë e Arteve për kompozim. Krijimtarinë e filloi që kur ishte student. Tomçini është autor i përpunimeve muzikore të “Këngës së Rexhës”, “Pjergullo, moj pjergullo”, “”Po vjen zogu për rreth livadhit”, “Po këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “O, prite Azem Galicën”.

Moikom Zeqo

Më 15 qershor, Moikom Zeqo, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Shkrimtari, i lindur në Durrës la pas plot 62 vepra me poezi, me studime arkeologjike, si dhe skenare filmash kinematografikë e televizivë me karakter kulturor dhe arkeologjik.

Shumë nga krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja; anglisht, frengjisht, italisht, serbo-kroatikisht, bullgarisht, polonisht, gjermanisht, etj. Moikom Zeqo është gjithashtu autor i tre ekspozitave në pikturë. Veprat dhe karriera e tij e gjatë artistike dhe intelektuale janë vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj. “Mjeshtri i Madh” do të mbahet mend gjatë si pioner i post-modernizimit në letrat shqipe.

Besim Zekthi

Më 28 qershor, mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë.

Zekthi, një nga emrat më të shquar të valles popullore, spikati që prej fillimit për talentin e tij dhe shprehjen e traditës së folklorit shqiptar përmes lëvizjeve të trupit. Solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dijon-it në Francën e viteve 1970.

Shpresa Vreto

Më 28 shtator, Shpresa Vreto, shkrimtarja për fëmijë dhe skenariste e disa filmave u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare. Skenarët e saj më të famshëm, janë përshtatur në disa prej filmave më të njohur shqiptarë. Në 1987-ën, Vreto shkroi skenarin e filmit vizatimor “Mirela” e ndërsa në 1981-in bashkë me Xhanfize Kekon realizuan skenarin e filmit “Kur Xhirohej një Film”.

5 vite më vonë, erdhi si autore në realizimin e filmit “Fillim i vështirë”. Shpresa Vreto ka kontribuar gjithashtu me penën e saj në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në 1990-ën. Përtej realizimit të skenareve të disa prej filmave më të famshëm të atyre viteve, Vreto është gjithashtu autore e disa librave për fëmijë. “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” si dhe revistat për të vegjël “Sirena e Vogël” apo “Bota ime”.

Avni Mula

Më 29 tetor, kompozitori i shquar shqiptar ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Avni Mula ishte këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i këngëve të njohura si “Valsi i lumturisë”, “Vajza me kaçurrela”, “Shqipëri, o vendi im” etj.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës.

Koço Devole

Më 8 nëntor, aktori dhe regjisori Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, pas infektimit me Covid i cili i ndërlikoi gjendjen shëndetësore sepse vuante nga leuçemia.

Devole, i lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945, ishte një nga figurat më të njohura të humorit shqiptar në vitet ’80 dhe ’90. Ndër rolet e tij më të njohura përmendim ato në telekomeditë “Të gjallë apo të vdekur”, “Çanta me nje milion”, “Oreksi i madh”, “Mos shko o trim”, “Revolja e heroit”, “Pushime në Romë” etj. Në karrierën e tij, aktori u vlerësua edhe për karikaturat e njohura (revista Hosteni).

Që prej vitit 2009, Devole ishte pjesë e “Fiks Fare”, ku krijimtaria e tij spikati në rubrikat “Koço Kiçi Shoë” dhe “Monitorime”. Në vitin 2013, u bë pjesë e serialit “O sa mirë”, ndërsa në 2019-n ishte pjesë e kastit të aktorëve të komedisë romantike “Dy gisht mjaltë”.

Valter Gjoni

Më 14 nëntor, aktori i teatrit dhe i kinematografisë shqiptare, Valter Gjoni, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Ai e filloi karrierën si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në fund të viteve ’70. Më pas u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, Kinostudios dhe Radio-Televizionit Shqiptar. Krahas karrierës së tij si aktor me mbi 70 role dhe interpretime, Gjoni spikati edhe për studimet dhe botimet e tij akademike. Në vitin 1985, ai filloi punë në Bashkinë e Tiranës, për çështjet kulturore, historike dhe artistike, punë të cilën e vazhdoi edhe pas daljes në pension. U vlerësua me çmime si “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, Urdhri “Naim Frashëri” dhe vitin e shkuar me çmimin “Simbol i qytetit”.

Lumturi Blloshmi

Më 27 nëntor, Lumturi Blloshmi, piktorja e njohur shqiptare ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.

Ajo krahasohej shpesh me Frida Kahlo-n për shkak të krijmtarisë së saj. Blloshmi ishte ndër artistet e para që lëvroi performancën dhe instalacionin në vendin tonë. E lindur në Tiranë në 1944-ën, ajo u diplomua për pikturë në vitin 1968, për të hapur në 1988 ekspozitën e parë personale në Berat. Po në atë vit, mori pjesë në Bienalen e Ankarasë. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi mori pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, Neë York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, periudhë e cila kujtohet si shumë delikate për artin shqiptar.

Marko Bello

Politikani, ish-ministri e deputeti socialist, do të ndahej nga jeta në Turqi si pasojë e Covid 19 në moshën 59-vjeçare. Marko Bello lindi në 12 shtator të vitit 1961 dhe ka qenë deputet i Partisë Socialiste për 3 mandate, nga viti 2001 deri në 2013.

Ai ka mbajtur edhe postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.

Në vitet 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zvendësministër i Mbrojtjes. Po ashtu, Bello ishte dhe një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

(E.K/Faxweb.al)

- PUBLICITET -