“Për 3-pikësh jam i paparë! Meta rrëfehet si asnjëherë më parë, ‘thumbon’ Ramën dhe i jep vendin e parë Berishës

175

Duke folur për sportin, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ia merr për faulla, por shton se në 3 pikëshin dhe e mposht. Kreu i shtetit thotë se e sfidon kryeministrin nën praninë e kamerave, duke mos pasur merak fare për arbitrin.

Duke folur për një garë noti me Berishës, Meta thotë se në këtë sport nuk e konkurron dot ish-kryeministrin, duke shtuar se garon për vendin e dytë. Pjesë nga intervista në “Top Albania Radio”:

Gazetari: President ju në fakt jo vetëm e ndiqni sportin, po keni dëshirë dhe të angazhoheni. Ju kemi parë duke luajtur futboll, apo hiking, si preferoni ta kaloni kohën e lirë, me sport më shumë?

Presidenti Meta: Më pëlqen sporti sepse është adrenalinë, largon toksinat dhe të argëton. Madje dua t’ju siguroj që edhe në ping-pong jam shumë mirë.

Gazetari: Varet nga rivali President?

Presidenti Meta: Jo, jam shumë mirë. Nuk mund të them të njëjtën gjë në çdo lloj sporti.

Gazetari A ka ndonjë sport që je dobët dhe do të kërkoje të përmirësoheshe pak?

Presidenti Meta: Në të gjitha sportet aktive mendoj se nuk jam keq. Dashuria më e madhe është ngjitja në male, kjo më ka tërhequr shumë, sepse është edhe e shëndetshme, por të jep edhe mundësinë të shikosh gjëra të reja, të bukura që nuk i ke parë kurrë ose i ke parë nga avioni.

Gazetari: Edhe njëkohësisht bëhesh dashje pa dashje dhe një promovues i natyrës shqiptare.

Presidenti Meta: Jo pa dashje, po me dashje, me dashje dhe kënaqësi.

Gazetari: President për t’ju ngacmuar pak, në qoftë se do t’ju zbrisnim nga mali në det e t’ju fusnim në një garë me rekordmenin e notit Sali Berisha, kush do të fitonte nga ju të dy?

Presidenti Meta: Absolutisht vendi i parë është i paprekshëm, absolutisht. Do të luftoja për vendin e dytë.

Gazetari: Po me basketbollin si i keni marrëdhëniet Zoti President?

Presidenti Meta: Për basketbollin kur të dëshironi për 3-pikësh jam i paparë.

Gazetari: Menduam si një organizator i mirë për të futur skuadrën në lojë.

Presidenti Meta: Edhe si organizator, por për 3-pikësh jam i paparë, kur të dëshironi me kamera.

Gazetari: Ne njohim një tjetër që është i mirë për këto personalet, por nuk di nëse do ta bënit një sfidë bashkë me kosha?

Presidenti Meta: Për faulla ma merr ai, por për 3-pikësh jam i sigurt që fitoj.

Gazetari Ndoshta dhe me mik me arbitrin ai tjetri.

Presidenti Meta Nuk ka problem fare.

Gazetari: Po shohim që kohët e fundit shumë sportistë po afrohen tek politika, është mirë kjo gjë, do t’i bëjë mirë politikës, që sportistët të vijnë, a duhet t’i besojmë ne këtyre sportistëve, të paktën se çfarë na kanë treguar në këto 30 vite, ish-sportistë që merren me politikë? A mos është kjo dëshpëruese që shumë vet e shikojnë të ardhmen vetëm nëpërmjet tranpolinës së politikës duke përfshirë këtu edhe sportistët? Mos i kemi mbyllur shumë rrugët dhe mundësitë sa që duhet të harxhohesh patjetër në politikë që të bëhesh dikush dhe të kesh një të ardhme?

Presidenti Meta: Së pari ju keni një të drejtë. Në tërësi në shohim që angazhimi në politikë, në një vend që është politizuar më shumë se sa duhet dhe që nuk ka asnjë arsye për të ndodhur kjo, ka ngelur si një rrugë ekskluzive për të arritur diçka, futja në politikë. Kjo mendoj që është tërësisht e gabuar për njerëz të cilët kanë një pasion dhe talent e që mund të japin për shoqërinë shumë më tepër se sa në politikë.

Megjithatë fakti që sportistë, ish-sportistë apo përfaqësues të botës së kulturës mund të angazhohen në një moment të caktuar në politikë, nuk ka asgjë shqetësuese në rast se ata e ndiejnë që mund të kontribuojnë në këtë drejtim.

E rëndësishme është që njerëzit të udhëhiqen nga dëshira për të kontribuar në interes publik dhe jo thjesht për të realizuar disa objektiva të tyre përmes angazhimit politik, pasi kjo nuk do të ishte e shëndetshme dhe nuk e ndihmon as vet politikën, por mund të dëmtojë edhe personalitetin e tyre.

Mund të kesh qenë një sportist shumë i mirë, shumë i dashur nga të gjithë, por në momentin e angazhimit tënd në politikë e zvogëlon veten, në drejtim të ndjekjes së disa interesave të caktuara që nuk e ndihmojnë politikën të jetë garante ndaj interesave publike. Atëherë kjo ta dëmton dhe reputacionin si ish-sportist, apo si ish-artist. Kjo varet edhe nga motivimi i personave të caktuar.

Gazetari Zoti President do të kishim shumë dëshirë ta vazhdonim këtë bisedë. Besoj se kjo është një kënaqësi e dy anshme dhe për juve, por ju kemi marrë shumë minuta nga koha juaj. Ishte shumë kënaqësi. Ju mirëpresim dhe në studiot e reja të Top Albania Radio, do jeni mik i studios sonë.