Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka folur për procesin e rindërtimit dhe ndikimin që ka patur pandemia në shtyrjen e punës gjatë një intervistë për Fax News për gazetaren Fjona Çela.

Kreu i Bashkisë zbuloi se vetëm komisioni i vlerësimit është ndërruar katër herë për shkak të infektimit nga Covidi, ndërsa tregoi edhe bisedën me Ramën.

Sipas Veliajt, kryeministri i tha do bëhet porosia e vaksinës në 2-3 burime, ndërsa pritet që pranvera ose vera e ardhshme të na gjejë në fushatë vaksinimi.

“Ka penguar jashtë mase. Vetëm një grup që është komisioni i vlerësimit të dosjeve për pagesat cash, është ndërruar 4 herë. Po flas për një grup gjigand që bën procesin e dosjeve, tek punonjësit social, si bëhet llogaritja e dëmit,

po flasim për skuadra me dhjetëra njerëz që i kemi ndërruar disa herë prej infekti8mit ose skuadra që nuk kanë mundur të punojnë me institucione shtetërore sepse janë mbyllur për shkak të karantinës. Shpresoj që viti tjetër do na lejojë prej kantiereve që të ecim më shpejt.

Shpresa ime e madhe dhe ajo që më ka informuar kryeministri është porosia e vaksinës në 2-3 burime, që pranvera ose vera e ardhshme të na gjejë në fushatë vaksinimi, do bëj që e gjithë skuadra të funksionojë me shpejtësi maksimale.

Lagjet e reja duam të nxjerrim mësime nga lagjet e vjetra. Ka shumë ndërtesa që janë futur me lugë këpucësh mes pallateve. Legalizime të bëra jashtë kritereve, prona të kthyera, të gjitha çudira shqiptare që duhet të marrin fund.

Lagjet e reja duhet ti ngjajnë bulevardit të ri, pra fillimisht bën infrastrukturën dhe pastaj vijnë ndërtesat, ndërkohë që më parë, njerëzit ndërtonin kuturu dhe thonin pse uji e dritat nuk kanë ardhur tek shtëpia ime. Tani më në fund do bëhen shtëpitë për së mbari”, tha Veliaj.