Në gati tre muaj që pjesa më e madhe e popullatës u ngujua në shtëpi, për shkak të karantinës së fortë për të frenuar përhapjen e Covid-19, shpenzimet u reduktuan ndjeshëm.

Një pjesë e njerëzve punuan online dhe si rrjedhojë nuk kishin çfarë të shpenzonin jashtë (ku pjesa më e madhe e dyqaneve ishin mbyllur), ndërsa rreth 50 mijë të tjerë dolën të papunë në tremujorin e dytë, sipas INSTAt dhe nuk kishin të ardhura për të shpenzuar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë 2020, konsumi final i popullatës u reduktua me 7.57%, se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose në vlerë absolute janë rreth 210 milionë euro të shpenzuara pak për kafe e restorante, veshje, udhëtime argëtime, apo dhe produkte e shërbime të tjera, që ose nuk ishin të domosdoshme, ose për shkak të mbylljes ishin të pamundura që të kryheshin.

Në total, në tremujorin e dytë 2020, konsumi final i popullatës ishte rreth 2.6 miliardë euro, nga 2.81 miliardë euro, në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është tkurrja më e lartë në të paktën pesë vjet. Që nga viti 2015, konsumi kishte ardhur në rritje të vazhdueshme, sipas statistikave të INSTAT.

Të dhënat e tjera të INSTAT për tregtinë me pakicë treguan se sektorët që panë rënin më të lartë të konsumit ishin veshjet dhe këpucë, indeksi i vlerës të së cilës psh gjatë muajit prill ra me 88%;

Libra, gazeta, artikuj shkollor, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara, që u tkurrën në prill me gati 70%.

Ndërsa nuk lëviznin, u ulën dhe shpenzimet për karburante (-48% në prill), artikujt e tjerë jo ushqimorë (-31%). Të vetmet që ishin me rritje, ose me rënie minimale ishin shpenzimet për ushqimet bazë, si dhe ato për pajisjet kompjuterike për shkak të kalimit të punës në online për shumë sipërmarrje.