Si asnjëherë më parë në 24 orët e fundit është shënuar një rekord viktimash nga koronavirusi në Shqipëri.

Ditën e sotme 7 pacientë kanë humbur jetën nga sëmundja. Një numër i tillë nuk ishte regjistruar asnjëherë që nga fillimi i pandemisë në mars të këtij viti në vendin tonë. Numri më i lartë i fataliteteve ka qenë gjashtë brenda 24 orëve, ndërsa rekordi edhe thyer sot duke e thyer në një të martë të zezë.

Rastet ditore janë sërish të larta, 284 në 24 orët e fundit nga 1278 testime që janë bërë në të gjithë vendin. Ndërkohë që gjithashtu është rritur numri i pacientëve në spital, sot ka pasur 5 shtrime më shumë duke e çuar numrin në total të atyre që po marrin mjekim në te Infektivi dhe Sanatoriumi në 285. Të shëruarit sot janë 103.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 119 raste në Tiranë, 29 në Shkodër, 26 në Durrës, 13 në Vlorë, 12 në Pogradec, 11 në Korçë, nga 10 raste në Fier, Elbasan, 9 në Lushnje, 8 në Berat, nga 6 raste në Kavajë, Gjirokastër, Përmet, nga 5 raste në Krujë, Devoll, Sarandë, 4 në Librazhd. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 285 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit. “Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar. Përdorimi i barrierës mbrojtëse duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese. Ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5 – 2 m dhe higjienën e duarve.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për sherbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19”.