Prej datës 15 tetor maska është bërë e detyrueshme në çdo ambient hapur jashtë shtëpisë. Pjesa më e madhe e qytetarëve janë të ndërgjegjësuar dhe e mbajnë maskën duke ecur në rrugë, por ka një pakicë, kryesisht moshat e reja që nuk i përdorin.

Ndaj ekipet e Task-Forcës kanë vijuar edhe sot këshillimet për mbajtjen e saj në rrugët më të populluara të Tiranës, për të rritur ndërgjegjësimin.

Për atë pjesë qytetarësh që nuk e kishin maskë punonjësit e Taskë-Forcës ua kanë dhuruar. Ata i kanë këshilluar qytetarët edhe për mënyrën e përdorimit korrekt të saj.

Por shefja e sëmundje infektive në ISHP, Silva Bino, është më konkrete në këshillat e saj. Ajo sapo e kaloi vetë infeksionin dhe ka gjetur pikërisht historinë e saj ta ndajë me të tjerët për t’i bindur për rrezikun e virusit.

“Virulenca nuk ka rënë. Ka persona që e kalojnë lehtë, rëndë dhe shumë rëndë. Unë e kalova rëndë. Dhe është e vështirë të mos mbushesh me frymë. Bëni kujdes virusi ekziston”

Mos mbajtja e maskës dënohet me masë administrative prej 3 mijë lekësh, ndërsa për shkelje të përsëritur është 5 mijë lekë. Gjatë këtyre 10 ditëve policia e shtetit ka gjobitur 5200 qytetarë për shkeljen e këtij detyrimi.