Gjyqtari i njohur, Fuat Vjerdha, rikthehet në detyrë në krye të Gjykatës së Apelit në Shkodër duke u bërë kështu rasti i parë, që Komisioni i Pavarur i Apelimit (KPA) kthen pas vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e tij.

 

Gjatë një interviste të dhënë për gazetarin e Euronews Albania, Teodor Gjerga, gjyqtari Vjerdha shprehet se ky ishte një vendim i shumëpritur për të pasi nuk kishte asnjë arsye që faktonte shkarkimin e tij .

 

“Ishte një shije e paprovuar kënaqësie. E gjithë familja kaloi në delir, sepse ishte një periudhë e gjatë pritjeje prej 16 muajsh. Nuk mund të them se ishte “meachulpa”, sepse këto dy gjykata nuk kanë lidhje për sa i përket argumentimit të vendimit, sepse KPA është një gjykatë më profesioniste, më me provojë të gjatë dhe më e përgatitur se KPK. Kështu që ata kanë shqyrtuar çështjen dhe mbi bazën e çështjes kanë konkluduar në këtë vendim të favorshëm për mua”, tha ai.

 

Ai shprehet se në KPA përveç dosjes me 40 faqe, ka dorëzuar dhe peticionin me më shumë se 6000 firma nga qytetarët kryesisht nga Shkodra.

 

Sipas tij, opinioni i publikut ishte i domosdoshëm për të dëshmuar të kundërtën e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili argumentonte në vendimin e shkarkimit se gjyqtari Vjerdha kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia.

 

“Kam bërë një ankim prej rreth 40 faqesh, dhe kam gjetur ato paragrafë të vendimit (KPK) të pabazuara në prova dhe të pabazuara në ligj. Ai vendim ka ardhur në kundërshtim në konkluzionin e arritur nga KLD-ja sa i përket profesionalizmit. Ai vendim ka ardhur në kundërshtim edhe me konkluzionet e DSIK-së, i cili thotë se unë nuk kam pasur asnjë lidhje me persona të inkriminuar apo të ketë të dhëna për korrupison. Dosja ka pasur vetëm ankimin prej 40 faqesh, dhe pastaj dy javë para se të shqyrtohej kjo çështje, unë i kam dërguar KPA-së dhe ONM-së një peticion të nënshkruar. Një peticion të nënshkruar nga 6244 shtetas, që pjesa më e madhe janë nga Shkodra, Lezha, Tropoja, edhe Tirana. Kështu që me këtë peticion i është dhënë një ndihmë KPA-së për të arritur në këtë vendim pasi këto shtetas shpreheshin se nuk ishin dakord me konkluzionet e arritur nga KPK-ja se “unë kisha cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë””, shtoi ai.

 

Vetingu ka krijuar jo pak probleme shprehet Vjerdha pasi ka krijuar mungesa në sistemin e drejtësisë në Shkodër . Lëvizja e parë do jetë kërkesa për një gjyqtar shtesë për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

 

“Gjykata e Apelit Shkodër si pasojë e vetingut është me tre gjyqtarë dhe me kthimin tim në detyrë bëhemi katër gjyqtarë, plus dhe një gjyqtar i komanduar nga KLGJ. Unë punën e parë që do bëj është se do t’i drejtohem me shkresë drejtuar KLGJ delegimin e një gjyqtari, në mënyrë të bëhemi gjashtë gjyqtarë në Apel dhe të formojmë dy trupa gjykues. Me qëllimin e vetëm që t’i shërbejmë këtij komuniteti sa më mirë të jetë e munduar që mos t’i shkojë koha e pritjes deri në tri vjet.”, thekoi ai.

 

Sa i takon reformës në drejtësi, Vjerdha gjykon se është tejet e nevojshme pavarësisht problemeve që po kalon nga përplasjet politike apo vendimeve të dyshimta siç e cilëson ai shkarkimin e përkohshëm të tij .

 

“Nuk mund të them se është dëmtuar sistemi, sistemi është përmirësuar nga reforma, por këto janë efektet anësore të reformës, ndoshta të parashikuara në këto nivele edhe nga ligjvënësit dhe kjo është sfida ime në krye të Gjykatës së Apelit në Shkodër. Të punojmë për të minimizuar këto pasoja duke rritur numrin e çështjeve të gjykuara, ndoshta unë do të preferoja të bënim vendime më të shkurta, të shkurtonim kohën dhe të jepnin konkluzionet kryesore dhe të ecnim me një numër më të madh të çështjeve, sepse ka një mori njerëzish që presin dyerve të gjykatave për të gjetur të drejtën e tyre. Unë jam shprehur që në fillim të reformës si një nga përkrahësit e reformës në drejtësi. Unë kam thënë se reforma në drejtësi ka qenë një domosdoshmëri. Jam një ndër ato që e pësova përkohësisht nga kjo reformë, por qëndrimi im në lidhje me reformën në drejtësi nuk ndryshon. Kjo reformë bëhet për të ardhmen e këtij vendi, në mënyrë që të shkojmë drejt një sistemi gjyqësor të pavarur nga politika”, u shpreh z. Vjerdha.

 

Gjatë fjalës së tij z. Vjerdha përcolli një falënderim të veçantë për Euronews Albania dhe për gazetarin Eni Ferhati, ndërsa u shpreh si vijon:

 

“Meqenëse ju jeni televizioni Euronews Albania, unë kam një falënderim për ju dhe në mënyrë të veçantë për gazetarin Eni Ferhati, i cili në një kohë kur të gjithë më kishin harruar, u kujtua për personin tim dhe më erdhi me emisionin e tij “Unpublished” më intervistoi, dhe ajo ishte një intervistë që më dha shkas, dhe në atë kohë kur më ka intervistuar Eni, unë kisha rreth 2500 firma në peticion, dhe pas kësaj unë arrita diku në 6250 firma. Kështu që një falënderim për televizionin tuaj”, shtoi ai./euronews