Shëndetësia është një ndër pikat më të dobëta në vendin tonë. Çdo ditë njerëzit ankohen dhe denoncojnë rastet e jashtëzakonshme që tashmë konsiderohen si normale. Kur shërbimet janë në kushtet minimale edhe në sektorin privat qytetarëve nuk u mbetet asnjë rrugëzgjidhje.

Një qytetare ka denoncuar një rast të tillë pranë redaksisë së JOQ ALBANIA. Ajo i është drejtuar një spitali privat për të bërë një skaner të nënës së sëmurë dhe shërbimi që i është bërë i ka lënë një shije mjaft të hidhur. Ajo tregon pakujdesinë e infermjerëve dhe mënyrën se si neglizhohen pacientët.

Qytetarja shkruan:

Përshëndetje, si jeni? Dua të ndaj me ju diçka që ndodhi ditën e Hënë. Nëna ime vuan nga disa sëmundje dhe gjendja është shumë e rënduar. Më kërkuan të bëj një skaner për të parë gjendjen e mushkërive dhe për të mos e torturuar nënën në spitalet shtetërore dhe për të mos rrezikuar për Covid iu drejtova Spitalit Gjerman. Sigurisht me sugjerim nga doktorët që punojnë edhe në shtetëror. Ambulanca e Spitalit Gjerman kërkonte 250 euro per shërbimin vajtje-ardhje, përveç skanerit që kishte kosto shtesë.

Vjen në mbrëmje ambulanca dhe në kohën që infermieri fliste me mua në telefon për adresën dëgjoj zërin e shoferit të ambulancës që shan me fjalë nga më të qelburat me mendjen se s’po dëgjohet nga ana tjetër e telefonit. E marrin mamin me karrocë dhe bombël oksigjeni, ecte si kafshë gjatë rrugës pa u kujdesur fare për një paciente aq të semurë. Vjen momenti që zbresim te Spitali Gjerman dhe sapo hapin derën e mbrapme të ambulancës zbresin karrocën e mamit dhe e leshojnë në mëshirë të fatit për të bërë pak muhabet me rojen e spitalit, dhe në atë moment mami kthehet me gjithë karrocë përmbys në trotuar.

Ata në vend që të marrin masa për të parë shpejt gjendjen e saj po më shtynin mua dhe më thoshin pusho se i bezdiste ulërima ime. Madje më shtynin drejt recepsionit nga frika se mos nuk bëja pagësen prej 460 mijë lekësh. Në momentin që i kërkoj pse janë të papërgjegjshëm aq me tepër aty ku çmimet janë të kripura dhe duhet të jetë dyfish i kujdesur ata vazhdojnë po prapë me arrogancë duke thënë se këto janë gjëra që ndodhin i bënë skanerin dhe po më nisnin drejt banesës sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Telefonova vëllezërit dhe në momentin që shohin ata ndryshojnë totalisht sjellje dhe bëjnë si të prekur, por vazhdojnë me punën e pageses. Pasi flasin me administratoren u bindën që spo i mbajnë lekët e faturave. Nëna ime tani është në shtëpi dhe ka dhimbje brinje nga goditja, përveç problemeve që kishte ia shtuam edhe këtë do doja të bëja shumë më tepër për të vënë drejtësi po jam shumë e pafuqishme, ama dua ta dinë të gjithë të paktën të parandalojnë një skenë të tillë me familjarët e tyre.