Javën që vjen do nisë spostimi i portit ekzistues në Durrës. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama i cili tha se do të hidhet në një garë ndërkombëtare porti i ri këtij qyteti që do zhvillohet “në anën tjetër, aty ku është dhe plani i zonës së lirë ekonomike që jemi shumë optimistë që do funksionojë”.

“Së shpejti do nisim transformimin e madh të Durrësit të spostojmë portin ekzistues që e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit që është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarte mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero e pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër, është një infrastrukturë me potencial të jashtëzakonshëm sa i përket turizmit”.

Rama tha se qeveria është në diskutime me partnerë ndërkombëtarë, “flas për shtete jo kompani e shpresoj që më herët se vonë do kemi një marrëveshje shtetërore që do jetë investimi më i madh privat në Shqipëri, historikisht, në formulë bashkëpunimi me shtetin”.