Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shënuar 301 raste me koronavirus, 4 viktima dhe 58 të shëruar.

Në krahasim me ditën e djeshme, sot janë bërë më pak testime, 1407, teksa dje ishin 1413, ndërsa janë shënuar më shumë raste, si asnjëherë tjetër më parë 301 brenda 24 orëve.

Po ashtu sot kemi një viktimë më shumë se dje. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 56 vjeçare nga Fieri, një 60 vjeçare nga Lezha, një 69 vjeçare nga Tirana dhe një 73 vjeçar nga Korça.

Ndërkohë që janë shëruar 58 qytetarë (dje ishin 96 qytetarë), duke e çuar në 10225 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 255 pacientë, 22 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet me një thirrje secilit prej jush “Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Përdoreni maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19.

Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për sherbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19”.