Në 24 orët e fundit në Shqipëri vijojnë që të jenë të larta shifrat e të infektuarve nga koronavirusi. Nga 1289 testime, që janë bërë ditën e sotme (dje ishin 1402) 273 persona kanë rezultuar të infektuar me Covid-19, teksa dje ishin 289 raste.

Viktima sot janë 5, teksa dje ishte një më pak. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, sot fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një 74 vjeçar nga Durrësi, një 76 vjeçar nga Tirana, një 81 vjeçar nga Rrogozhina, një 82 vjeçar nga Shkodra, një 91 vjeçar nga Korça.

Janë shëruar 44 qytetarë, duke e çuar në 10,001 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 259 pacientë, 20 në terapi intensive nga të cilët 3 pacientë janë të intubuar.

Nisur nga rritja e numrit të rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet masat e vendosura.

“Të mbajnë maskën detyrimisht edhe në ambienet jashtë shtëpise, të respektojnë distancën fizike prej së paku 1.5 metër dhe të kujdesen vazhdimisht për higjienën personale, si të vetmet mjete që kemi në dispozion për mbrojtur veten dhe të afërmit tanë.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID19.

Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes, për sherbim psikologjik te specializuar dhe të sigurt si dhe për çdo informacion tjetër rreth COVID19” mbyllet apeli.