Vendimi i qeverisë shqiptare për të vendosur me detyrim maskat edhe në ambientet e hapura, nuk përkrahet plotësisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH thotë se rekomandohet që maskat të mbahen në hapësira publike ku distanca fizike është i pamundur të mbahet.

Në një prononcim për Syri.tv, OBSH thotë se nuk është maska, masa e vetme parandaluese për COVID-19. “Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të minimizuar rrezikun e përhapjes së COVID-19 dhe për të shkëputur hallkën e çdo zinxhiri të transmetimit. Në udhëzimet e OBSH-së rekomandohet që maskat të mbahen në hapësira publike ku distanca fizike është e pamundur të mbahet.

Por, përtej kontekstit se ku vihen ato, maska si masë e vetme parandaluese nuk na mbron nga COVID-19. Ato janë pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të masave për parandalimin dhe të kontrollin e infeksionit, ku përfshihet edhe higjiena e duarve, mbulimi i gojës gjatë kollitjes apo teshtitjes si dhe distancimin fizik” – thekson OBSH.

Më tej, OBSh sqaron edhe pjesën e testimeve. “Udhëzimi i OBSH-së gjithashtu thotë se nëse ekzistonë mbikëqyrja dhe testimet gjithëpërfshirëse të rasteve të dyshuara (në rendin e 1/1000 banorë/ javë), atëherë përqindja e mostrave pozitive mund të përdoret për të ndihmuar në vlerësimin nëse epidemia në një vend, apo zonë administrative, është nën kontroll”– shprehet OBSH.

Po ashtu, një rivendosje masash të rrepta, është një situatë e pritshme. “Situata do të vazhdojë të evoluojë në muajt në vazhdim, rreziku i ringjalljes së sëmundjes do të vazhdojë dhe do të duhet të kontrollohet në mënyrë të qëndrueshme përmes zbatimit rigoroz të ndërhyrjeve nga ana e shëndetit publik ndërsa virusi qarkullon midis dhe brenda vendeve. Ne rekomandojmë që qeveria të vazhdojë të testojë, gjurmojë, trajtojë dhe izolojë;

monitorimi i rritjes së çështjeve të reja; dhe rivendosjen e masave më të rrepta nëse është e nevojshme, me angazhimin e plotë të komuniteteve. Kritike është gjithashtu përdorimi i të dhënave në kohë reale dhe mirëmbajtja e shërbimeve thelbësore shëndetësore. Sidoqoftë, kjo nuk është një përgjegjësi vetëm e qeverisë. E gjithë shoqëria duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje. Është në duart e çdo individi të sigurojë që të gjitha rastet pozitive të gjenden dhe izolohen, dhe që të gjitha kontaktet të gjurmohen dhe karantinohen.

Vetëm duke ndërprerë zinxhirin e transmetimit mund të ndalojmë COVID-19. Çdo person duhet të vazhdojë të mbaj pastër duart, të mbulojë gojën gjatë kollitjes, mbajtja e distancës së sigurt nga njerëzit e tjerë dhe – kur kjo nuk është e mundur – të vendosësh një maskë. Ne jemi të sigurtë që këto masa të thjeshta do të na mbajnë ne dhe të dashurit tanë të sigurtë. Është në zërin e çdo ndikuesi dhe gazetari të flasë për faktet, të kuptojë perceptimet e njerëzve dhe të nxisë sjellje që mbrojnë. Kjo kërkon angazhimin e gjithë shoqërisë për shëndetin e gjithsecilit. Dhe për shëndetin si një përcaktues i ekonomisë”.

Nga dita e sotme, të gjithë qytetarët duhet të mbajnë maskë në të gjitha ambientet jashtë shtëpisë. Qytetarët të cilët nuk do mbajnë maskë do të gjobiten me 30 mijë lekë të vjetëra dhe në rast se veprimi përsëritet gjoba shkon në 50 mijë lekë të vjetra.