Kryeministri Edi Rama u shpreh i sigurt se PS do i fitojë zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa për largimin nga politika u shpreh se ka ende punë për të bërë dhe se misioni i tij vijon për zhvillimin e vendit.

“Zgjedhjet që të jesh i qartë ti e të gjithë unë e PS do i fitojmë pa pasur nevojë fare të marrim asnjë vendim e të bëjmë asgjë nga këto që disa thonë se i bëjmë për zgjedhje. Ne nuk punojmë për zgjedhje, por për njerëzit e janë njerëzit që zgjedhin duan të vazhdojnë me ne apo të shkojnë të kërkojnë 6 të mira në 4 pika.

Kur kam bërë premtimet e mia kam folur për një vizion e program e rrugë të përbashkët. Gjykimet mbi çfarë kam thënë e ca kam bërë do i bëni të gjithë kur misioni im të jetë i kryer dhe është larg së qeni i kryer.

Unë rrugëve kam që kur kam marrë detyrën të drejtoj PS dhe si kryeministër s’është ndonjë meritë thjesht kam bërë detyrën, kam bërë më shumë kilometra në territorin e Shqipërisë se të gjithë kryeministrat së bashku që kur është krijuar shteti shqiptar në 1912 e këtë mund ta provoj me fakte”, tha Rama.